Broja luan 15 minuta, sulmuesi “kuqezi” aktivizohet pas për “Blutë e Londrës”

schedule16:36 - 27 Janar, 2024

schedule 16:36 - 27 Janar, 2024

Natyrisht, e di edhe vetë se nuk mund të luajë gjithmonë. Pasi u aktivizua disa herë si titullar në ndeshjet e fundit, Armando Broja u detyrua të pranonte stolin te Chelsea dhe të luante pak. Trajneri Maurizio Pochettino e aktivizoi vetëm që nga minuta e 77’-të në përballjen e Kupës së Anglisë në “Stamford Bridge”, ndaj Aston Villa.

Ishte një përballje e vështirë, që përfundoi 0-0, dhe kjo do të thotë se kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e dytë në stadiumin “Villa Park”. Broja nuk pati shumë mundësi të tregonte veten, në minutat e fundit shumë të nxituara, ndonëse e pati një mundësi. Për fat të keq, nuk u tregua I saktë me topin dhe shansi u shpërdorua.

Përballë një kundërshtari tepër të fortë taktikisht dhe agresiv, sulmuesi “kuqezi” bëri punë shpesh në fazën mbrojtëse, duke zbatuar detyrat e ngarkuara. Nuk dihet nëse kjo ishte ndeshja e fundit e Brojës për “Blutë e Londrës”, ndërsa diskutohet një huazim apo një shitje përfundimtare e kartonit të tij.

Në 31 janar, Chelsea do të luajë në fushën e Liverpool, në sfidën e vlefshme për kampionatin anglez të futbolli, Premier League, ndërsa Pochettino e la të nënkuptohej se për shqiptarin mund të jetë mirë një huazim.

Ai e krahasoi Armandon me kapitenin e Anglisë, Harry Kane, të cilin tekniku e drejtoi te Tottenham. Argjentinasi theksoi se edhe Kane pati vështirësi në fillim të karrierës, ashtu si Broja, por pastaj u huazua në disa ekipe të tjera përpara sesa të kthehej te Spurs. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!