Broja “harron” golin, “ylli” i Kombëtares shpërdoron rast flagrant në Premier League

schedule18:08 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 18:08 - 17 Dhjetor, 2023

Vazhdon të jetë episodik, por këtë herë ishte edhe pa fat.

Armando Broja luajti përsëri vetëm një copë të vogël kohe në ndeshjen e radhës së Chelsea në Premier League, veçse pati një moment kur do të ishte kthyer në “hero”.

I aktivizuar vetëm në minutën e 75’-të nga trajneri Pochettino në sfidën e “Stamford Bridge” ndaj Sheffield United, sulmuesit të Kombëtares shqiptare iu paraqit një rast i artë, më i vështirë për të mos u shënuar.

Fatkeqësisht, 22-vjeçari bëri më të pamundurën me portë bosh, e padyshim që do të jetë kandidat për gabimin më të madh të sezonit. Kjo, krejt ndryshe nga shkëlqimi i fortë momental që pati në ndeshjen ndaj Manchester City ku fitoi penallti me vetëm dy-tri minuta në fushë.

“Blutë e Londrës” e kishin futur ndeshjen në “shina” me dy gola të shpejtë në pjesën e dytë, ndaj kur Broja hyri në fushë nuk është se po luanim me një portë. Kjo ia pakësoi shanset futbollistit “kuqezi”, që gjithsesi duhet thënë se luftoi fort dhe u përpoq për çdo top, duke bërë presion ndaj kundërshtarëve.

Në fund të fundit, duhet të kënaqemi që Broja po aktivizohet tek një ekip elitar si Chelsea, e që ndoshta dalë nga dalë të arrijë formën maksimale për të pasur më shumë minuta në fushë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!