Broja, “gol” në biznes, sulmuesi firmos kontratën e rëndësishme me kompaninë “Puma”

schedule12:16 - 24 Nëntor, 2023

schedule 12:16 - 24 Nëntor, 2023

Ditët e këqia duket se kanë kaluar. Armando Broja ka hedhur pas krahëve dëmtimin e rëndë që e la jashtë fushave të lojës për gati një vit. Sulmuesi shqiptar ka nisur sërish të fitojë minuta te Chelsea, megjithëse I duhet ende shumë punë për t’u kthyer në formën e tij më të mirë.

Por jashtë fushës, gjërat duket se shkojnë në mënyrën më të mirë për Armando Brojën, i cili ka firmosur një kontratë të rëndësishme dhe afatgjatë me një prej kompanive më të mëdha të veshjeve sportive si “PUMA”.

“The Athletic” ka zbuluar lajmin, duke dhënë edhe detaje të marrëveshjes së sponsorizimit. Sipas mediumit prestigjoz anglez, Broja ka marrë eksluzivitetin e kësaj kompanie për Shqipërinë dhe Kosovën.

Një arritje presonale e rëndësishme në biznes për sulmuesin, që ka përpara muaj të rëndësishëm në karrierën e tij.

Si fillim duhet të bindë Chelsea-n dhe trajnerin Pochettino se mund të mbështeten tek ai në të ardhmen.

I njëjti diskutim edhe për kombëtaren e Shqipërisë. Dëmtimi e la jashtë eliminatoreve të Euro 2024, ku skuadra kuqezi siguroi kualifikimin. Publikisht, Sylvinho e ka lënë të hapur derën për Brojën, por i takon vetë sulmuesit të fitojë vendin e tij në Kombëtare.

Kjo i përket të ardhmes. Sa për të tashmen, sulmuesi është stërvitur me skudrën e Chelsea në dy javët e pauzës së kombëtareve, ndërsa do të jetë pjesë e “Bluve” të Londrës për ndeshjen e vështirë të së shtunës në transfertën e Newcastle. /abcnews.al