Chelsea duket se i është rikthyer sërish pistës “Ronaldo”. Pas dështimit të negociatave verën e kaluar, për shkak të ish-trajnerit të “bluve”, Thomas Tuchel duket se tani ekziston një mundësi, që 5 herë fituesi i Topit të Artë, të veshë fanellën e “londinezëve”.
Sulmi i Chelsea duket se nuk po funksionon siç duhet dhe tekniku Graham Potter nuk është i kënaqur me këtë gjë. Me dëmtimin serioz të Armando Brojës, (lojtar i preferuar i Potter për sulmin) tanimë situata bëhet akoma dhe më kritike për gjetjen e një sulmuesi pykë, në majën e sulmit të “bluve”.
Objektivi kryesor për sulmin padyshim që është anësori i Milan, Rafael Leao dhe me sigurimin e fantazistit të RB Leipzig, Christofer Nkunku, bordi i Chelsea nuk pritet të shpenzojë “para me thasë” për sulmin në këtë merkato dimri.
Një nga opsionet e tjera për sulmin është 18-vjeçari i Dormtund, Youssufa Moukoko, me gjermanin që synohet nga gjysma e ekipeve të Evropës. Mirëpo, nga ana tjetër është dhe Cristiano Ronaldo, i cili tashmë është pa kontratë dhe investimi do të ishte thjesht paga e “luzitanit”, edhe pse me shitjen e fanellave Ronaldo do të ngrinte shumë më lart emrin e ekipit të Chelsea. /i.m /abcnews.al