Djali i Britney Spears, Jayden Federline, duket se zbuloi një detaj të rëndësishëm në lidhje me karrierën muzikore të së ëmës. Gjatë një videoje live në Instagram, Jayden u shpreh:
“Do ta vizitoj për disa javë pasi tani jam me babin. Në të vërtetë, nuk e kam parë të merret me muzikë së fundmi. Mbaj mend që njëherë e pyeta, ‘Mam, çfarë po ndodh me muzikën tënde?’. ‘Nuk e di zemër, mendoj se ndoshta duhet të heq dorë’, më tha ajo.”
Jayden është vetëm 13 vjeç ndaj është e paqartë sa për bazë duhet të merren fjalët e tij. I ati i 13-vjeçarit, reperi Kevin Federline me të cilin Britney ishte e martuar në vitet 2004-2007, u shpreh se “janë thjesht fjalët e një fëmije, asgjë më tepër”. Nga ana tjetër, Britney nuk ka reaguar dhe duket e pashqetësuar për deklaratën e të birit, mirëpo nuk është hera e parë që përflitet se këngëtarja do të braktisë muzikën njëherë e përgjithmonë.
Në maj të 2019-s, menaxheri i saj Larry Rudolph tha për TMZ se ai “nuk dëshiron që ajo të performojë sërish” derisa të jetë gati fizikisht dhe mendërisht”.
“Unë nuk e kam mundësinë që ta bëj të aftë të punojë sërish. Jam këtu për ta ndihmuar. Nëse ajo dëshiron të performojë, puna ime është që ta bëj të mendojë nëse është ide e mirë apo e keqe,” shtoi ai. Në fund Rudolph tha se momenti kur Britney të performojë sërish mund të mos vijë kurrë.
Në fillim prillit të një viti më parë, ajo kërkoi ndihmë të specializuar të shëndetit mendor, për shkak të gjendjes së saj si pasojë e sëmundjes së rëndë të të atit.
Albumi i fundit i Britney-t, “Glory”, u publikua në gusht të 2016-s./abcnews.al