Një pjesë e madhe e britanikëve kanë ndërruar mendje për sa i përket daljes së vendit nga Bashkimi Europian.
Më shumë se 2.6 milionë votues britanikë kanë ndërruar mendjen për Brexit dhe tashmë janë kundër daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Janë këto shifrat e publikuara nga një sondazh i kompanisë informatike “Fokal Data”. Sipas mediave britanike, nëse këta votues do të kishin zgjedhur qëndrimin në Bashkimin Europian në referendumin e 23 Qershorit 2016, rezultati do të kishte qenë ndjeshëm në mbështetje të atyre që kundërshtonin Brexit.
Sondazhi është realizuar për grupin “Më e mira për Britaninë”, i cili po përpiqet të gjejë një mënyrë që vendi të qëndrojë në Bashkimin Europian. Pjesa më e madhe e votuesve që kanë ndryshuar mendim janë laburistë dhe kjo gjë shton edhe më shumë presionin për liderin e partisë Xheremi Korbin, i cili duhet të marrë një qëndrim më të ashpër kundër Brexit.
Nga sondazhi del gjithashtu se 970 mijë persona, të cilët në 2016-n votuan kundër Brexit, tashmë do të donin të votonin pro tij. Në këtë mënyrë partia anti-Brexit ka fituar një elektorat prëj 1.6 milionë personash.
Ndërkohë negociatat mes Britanisë së Madhe dhe Europës janë në fazën përfundimtare. Ministri britanik për Brexit, Dominik Raab, u shpreh se pavarësisht skenarit, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Europian në Mars të vitit të ardhshëm./abcnews.al