Britania, vendi i parë që shpall gjendjen e jashtëzakonshme klimatike

schedule14:54 - 2 Maj, 2019

schedule 14:54 - 2 Maj, 2019

Britania e Madhe është vendi i parë në botë që shpall gjendjen e jashtëzakonshme klimatike. Lideri i laburistëve Korbin, i cili dorëzoi dhe mocionin që u miratua nga deputetët britanikë, u shpreh se ky ishte vetëm fillimi.

Dhoma e deputetëve në Britaninë e Madhe miratoi një mocion të prezantuar nga opozita laburiste duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme klimatike. Mocioni përfaqëson një sukses për liderin e Partisë Laburiste, Xheremi Korbin, i cili e kishte dorëzuar personalisht në sallë. Por kjo është një fitore sidomos për lëvizjet ekologjiste që e kishin kërkuar me një seri manifestimesh në shesh. Britania e madhe është vendi i parë në botë që ndërmerr një iniciativë simbolike të kësaj natyre.

Sfida e laburistëve për qeverinë konservatore, synon ndër të tjera një nivel zero emetimesh të dëmshme para vitit 2050 si dhe rritjen e ndjeshme të burimeve të rinovueshme. Në debatin në parlament, ministri britanik i ambientit Majkëll Gov, duke iu përgjigjur Korbin pranoi ekzistencën e një situate emergjente, por nuk arriti deri aty sa të mbështesë mocionin në fjalë.

Përpara një turme ambientalistësh, Korbin u shpreh se ky mund të jetë fillimi i një serie veprimesh. Ai premtoi se do të bashkëpunojë dhe me vende të tjera për të shmangur katastrofat klimatike dhe për t’i bërë të qartë presidentit amerikan Donald Trump. Se nuk mund të injorojë marrëveshjet ndërkombëtare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!