Moti i keq me reshje dëborë duket se nuk po e lë rehat Mbretërinë e Bashkuar. Pas dy stuhive të fuqishme që sollën acar dhe futën në kaos transportet, një tjetër pritet të përfshijë mbretërinë të enjten.
Disa zona të Britanisë pritet të përballen të enjten me reshje të dendura bore, pa u rekuperuar ende nga dëmet e shkaktuara nga stuhitë “Bisha nga Lindja” dhe “Ema”.
Autoritetet kanë paralajmëruar zonat qendrore të Britanisë, nga Leicester në Jorkshajër, si dhe veriun. Skocia dhe Irlanda e Veriut janë paralajmëruar gjithashtu për natën mes së mërkurës dhe së enjtes, kur pritet që temperaturat të bien ndjeshëm.
Alarmet e fundit vijnë në një kohë kur vendi sapo ka nisur të marrë veten nga acari siberian dhe stuhitë që i çuan temperaturat deri në minus 11 gradë Celsius dhe sollën reshje dëbore deri në 50 centimetër. Meteorologët deklarojnë se në jug-perëndim të Anglisë do të ketë reshje shiu, që do të zhvendosen në veri-lindje dhe do të konvertohen në dëborë, që do të bjerë në Uells, Midlends dhe në jug të Anglisë.
Më të rrezikuara janë zonat malore, ndërsa në ato fushore niveli i dëborës pritet të variojë nga 1 deri në 3 centimetër. Në paralajmërimin e tyre, autoritetet kanë nënvizuar se disa rrugë dhe hekurudha do të bllokohen, ndaj qytetarët duhet të shmangin lëvizjet./abcnews.al