Në raportin e tyre të përditshëm, inteligjenca ushtarake britanike thekson se pavarësisht se pala ruse mohoi raportet e fundit për furnizimet e municioneve nga Koreja e Veriut, këto “pothuajse me siguri” kanë arritur në magazina në pjesën perëndimore të Rusisë. Këto magazina përdoren për të furnizuar me municione trupat ruse në Ukrainë.
Nëse Pheniani mund të ruajë këtë nivel dhe shpejtësi furnizimesh, më shumë se 1000 kontejnerë në javët e fundit, atëherë do të bëhet një nga furnizuesit kryesorë të armëve të Rusisë së bashku me Iranin dhe Bjellorusinë.
Nuk është ende e qartë se çfarë i ka ofruar Rusia Koresë së Veriut në këmbim, thuhet në raport. Inteligjenca ushtarake britanike e konsideron të pamundur që të kenë rënë dakord për të gjithë paketën, por ka shumë mundësi që të jetë diskutuar gjatë vizitave të fundit të zyrtarëve të lartë rusë në Korenë e Veriut.
Sipas shërbimeve të inteligjencës ushtarake britanike, kjo paketë ndoshta do të përfshijë ndihmë financiare, mbështetje financiare, ofrimin e teknologjive ushtarake dhe bashkëpunim në fusha të tjera, për shembull në fushën e hapësirës.