Britania kundër emigrantëve/ Paralajmëron largimin nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut

schedule15:14 - 9 Gusht, 2023

schedule 15:14 - 9 Gusht, 2023

Ministri i Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar Robert Jenrick la të nënkuptuar se qeveria britanike është e gatshme që të largohet nga Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut, nëse diçka e tillë do të lejonte vendin që të trajtojë në mënyrë të duhur problemin e emigrantëve që mbërrijnë në ishull në mënyrë ilegale nëpërmjet varkave.

Ky vendim i qeverisë britanike mund të vijë pas një zhgënjimi që përjetoi Londra zyrtare vitin e shkuar, pasi ne muajin qershor të vitit 2022 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ndaloi Britaninë që të dërgonte 31 azilkërkues drejt shtetit afrikan të Ruandës. Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut arsyetoi se ky vendim u mor pasi egzistonte rreziku i trajtimit çnjerëzor për këta emigrantë.

Robert Jenrick, ministër i Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar për BBC se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ndoshta po ndëshkon Britaninë me vendimet e saj për shkak të Brexit. Kjo deklaratë e ministrit të lartë të kabinetit të Rishi Sunak vijnë pasi qeveria Britanike kishte deklaruar më parë se do t’i përmbaheshin detyrimeve të traktatit ndërkombëtar.

Robert Jenrick u shpreh se largimi nga Konventa nuk do të ishte një problem për Britaninë për aq kohë sa ajo mund të mbronte kufinjtë e saj. Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut është një dokument ndërkombëtar i hartuar në vitin 1950 nga Këshilli i Evropës dhe ka hyrë në fuqi më 3 shtator të vitit 1953.

Konventa solli më pas edhe Krijimin e Gjykatë për të Drejtat e njeriut duke bërë që çdo invidiv që vjen nga shtetet anëtarë që kanë ratifikuar këtë konventë, të kenë mundësinë e ngritjes së një padie nëse mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur. Vendimet e kësaj gjykate janë të detyrueshme. Janë të shumta organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që kanë kritikuar përgjatë muajve të fundit britaninë mbi qasjen e saj sa i përket emigrantëve. Ekspertët ligjorë në Mbretërinë e Bashkuar mendojnë se largimi i vendit nga Gjykata europiane për të drejtat e njeriut do të ishte një vendim i gabuar pasi do të dëmtonte reputacionin e Britanisë duke e paralelizuar atë me Bjellorusinë dhe Rusinë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!