Britani, rreth 11 milionë qytetarë në probleme financiare

schedule16:01 - 17 Maj, 2023

schedule 16:01 - 17 Maj, 2023

Rreth 11 milionë të rritur në Britani të Madhe janë duke luftuar për të paguar faturat dhe borxhet e tyre, sipas shifrave të reja zyrtare të publikuara sot që tregojnë rritje të konsiderueshme të qytetarëve që përballen me vështirësi financiare.

Autoriteti për Monitorim Financiar (FCA) në Britani zbulon se në janar numri i personave në probleme financiare u rrit për 3.1 milionë njerëz, krahasuar me majin e vitit të kaluar, kur kjo shifër ishte 7.8 milionë.

“Numri i të rriturve që nuk arritën të paguajnë një faturë apo kredi në të paktën 3 nga 6 muajt e fundit u rrit me 1.4 milion nga 4.2 milionë në 5.6 milionë”, thuhet në raport.

FCA u ka bërë thirrje individëve të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje për shkak të presionit mbi buxhetet e familjeve për shkak të rritjes së kostos së jetesës, duke deklaruar se kjo ka ndikim të rëndësishëm në mirëqenien mendore të individëve, raportojnë mediat e huaja.

Në janar, rreth 28.4 milionë të rritur në Britani, rreth gjysma e popullsisë, raportuan se ndjenin nivele më të larta ankthi ose stresi sesa 6 muaj më parë, duke ia atribuuar këtë rritjes së kostos së jetesës.

“Hulumtimi ynë nxjerr në pah ndikimin real që ka rritja e kostos së jetesës në aftësinë e njerëzve për të qenë në hap me faturat e tyre, megjithëse jemi të kënaqur kur shohim se njerëzit po marrin ndihmë dhe këshilla”, tha Sheldon Mills, shefi ekzekutiv për konsumatorët dhe konkurrencën.

Ai theksoi se do të vazhdojë të veprojë shpejt për të siguruar që kompanitë financiare të ndihmojnë klientët që po përballen me vështirësi financiare ose janë të shqetësuar se kjo mund t’ju ndodhë së shpejti.

Në mars, norma vjetore e inflacionit të çmimeve të konsumit në Britani shënoi rënie të lehtë në 10.1 për qind, por ishte periudha e shtatë radhazi në të cilën norma ishte mbi 10 për qind.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!