Themeluesi i Uikiliks, Xhulian Asanzh nuk do të mund të lërë qelinë për shkak të rrezikut të arratisjes. Vendimi është marrë nga një gjykatë britanike, e cila e ka lënë atë në burg deri në fillim të procesit për ekstradimin në Shtetet e Bashkuara.
Themeluesi i Uikiliks, Xhulian Asanzh do të qëndrojë në burg edhe në përfundim të dënimit të tij për shkak të rrezikut të arratisjes. Asanzh pritej të lirohej më 22 shtator pas shlyerjes së dënimit për shkeljen e ligjeve britanike, por gjyqtarët në Uestminster deklaruan se ka të dhëna konkrete për rrezikun se ai mund të arratiset për t’i shpëtuar procesit të radhës. 48-vjeçari australian po lufton kundër ekstradimit në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për zbulim të sekreteve shtetërore. Ai do të përballet me procesin e ekstradimit vitin e ardhshëm, duke filluar nga 25 shkurti, pasi në qershor ministri i Brendshëm britanik Sajid Xhavid firmosi një kërkesë të dërguar nga pala amerikane. Në prill Asanzh u dënua me 50 javë në burgun Belmarsh, në jug-lindje të Londrës, pasi u shpall fajtor për shkelje të ligjeve britanike. Ai u arrestua në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ishte strehuar që prej vitit 2012 për t’i shpëtuar ekstradimit në Suedi, ku akuzohet për agresion seksual, akuzë të cilën ai e ka mohuar vazhdimisht. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara ai përballet me 18 akuza, përfshirë keqpërdorim të kompjuterëve qeveritarë dhe publikim të paautorizuar të informacioneve të klasifikuara. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me analistin e shërbimeve sekrete ushtarake Çelsi Mening në mënyrë të paligjshme, për t’u pajisur me informacionet në fjalë. /ABC News Albania 24/7