Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur hetimet mbi vdekjen e një biznesmeni rus, kritik i presidentit Putin. Rasti në fjalë pritet të thellojë më tej tensionet mes Londrës dhe Moskës, të acaruara pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal.
Policia britanike ka nisur hetimet mbi vdekjen e biznesmenit rus Nikolai Glushkov, në jug-perëndim të Londrës. Glushkov u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në lagjen Nju Melden më 12 Mars. Autopsia e kryer mbi trupin e tij ka treguar se vdekja është shkaktuar nga ushtrimi i presionit në qafë.
Sidoqoftë, për momentin hetuesit deklarojnë se nuk ka prova që të sugjerojnë një lidhje të vdekjes së Glushkov me atë të ish-agjentit sekret rus, Sergei Skripal në Salisburi. Hetuesit po shqyrtojnë një sërë pistash dhe kanë apeluar për informacione që mund t’i ndihmojë në procesin hetimor. Glushkov ishte nëndrejtor i kompanisë ajrore ruse “Aeroflot”.
Në vitin 1999, ai u burgos për pastrim parash dhe mashtrim. Pasi përfitoi një pezullim të dënimit në vitin 2006 ai u arratis në Mbretërinë e Bashkuar ku kërkoi azil politik dhe u kthye në një kritik të presidentit rus, Vladimir Putin. Glushkov ishte gjithashtu një mik i ngushtë i biznesmenit rus Boris Berezovski, i cili u transferua në Britani në vitin 1999, pasi prishi marrëdhëniet me Putin./abcnews.al