Britani e Madhe, për herë të parë një fëmijë operohet me ndihmën e robotëve

schedule09:22 - 7 Gusht, 2024

schedule 09:22 - 7 Gusht, 2024

Në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për here të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme. Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit.

Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale. Por, krahë robotikëkryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit. Krahët robotik bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato.

Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani.

Fondacioni ‘London’s Guy’s’ dhe ‘St Thomas’s’ njoftoi në vitin 2023 se të gjitha operacionet e kancerit të prostatës, veshkave dhe mushkërive u kryen në mënyrë robotike, me mbi 10,000 procedura të realizuar me ndihmën e robotëve gjatë 20 viteve të fundit.

Spitali i Fëmijëve ‘Southampton’ në Angli po kryen testin e parë në Mbretërinë e Bashkuar të përdorimit të një pajisjeje inovatore të quajtur Sistemi Robotik Kirurgjik Versius.

Roboti i ri ka saktësi të avancuar dhe aftësi manovrimi që bën të mundur përdorimin te pacientët më të rinj, raporton zeriamerikes.

Pas një sërë provash të suksesshme tek të rriturit, 7-vjeçari Reece është fëmija i parë në vend që operohet me këtë pajisje. Ai iu nënshtrua kontrolleve në spital pas një incidenti në një park.

Nëna e tij, Elizabeth Wilton, thotë se “ai iu nënshtrua kontrolleve dhe në fillim nuk u zbulua gjë pas incidentit, por më pas, nga skanimet u zbulua se ai kishte një problem midis veshkave dhe fshikëzës, me tubin lidhës, nuk ishte plotësisht ashtu siç duhej”.

Fillimisht familja u trondit kur u njoh me faktin se ndërhyrja kirurgjikale për këtë problem shëndetësor do të kryhej me ndihmën e një roboti.

Babai i 7 vjeçarit, Ashley Wilton, thotë se “kur dëgjova për herë të parë se do të ishte një robot që do ta operonte atë, kisha dyshime…Por kur merr më shumë informacion dhe mëson se robotin e drejton një mjek atëherë gjithçka bëhet shumë më e kuptueshme”.

Kirurgu që kreu ndërhyrjen është Ewan Brownlee, i cili është urolog pediatrie në Spitalin Universitar Southampton. Kirurgjia tradicionale për këtë ndërhyrje mbart disa komplikime, shpjegon ai.

Ndërsa krahët robotikë të përdorur në këtë procedurë kanë një gamë lëvizjeje të tillë që bën të mundur që instrumente kirurgjikale mjaft të vogla të kryejnë operacione të ndërlikuara te fëmijët.

Pas testeve për gati 3 vjet, është arritur momenti historik, kryerja e operacionit te një fëmijë. Pajisja e ndihmuar nga roboti, e zhvilluar nga CMR Surgical Ltd me bazë në Kembrixh, synon të arrijë një saktësi që njeriu nuk e arrin dot, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve të vogla kirurgjikale, kontrollit të robotit, si dhe një ekrani të zmadhuar me rezolucion të lartë.

“Ndërhyrja kontrollohet nga kirurgu, gjithsesi. Duket sikur ndihma robotike është e automatizuar, por në fakt kontrollohet nga kirurgu”, thotë kirurgu Ewan Brownlee

Kirurgët shpresojnë të shohin që kirurgjia pediatrie me ndihmën e robotëve të bëhet praktikë e zakonshme në të gjithë botën. Pas operacionit, Reece i thotë nënës së tij, Elizabeth, se ndihet mirë.

“Ai ka qenë pak i turbullt, i shqetësuar siç do të ishte çdokush, veçanërisht në moshën e tij, por ai ia ka dalë shumë mire. Thjesht po kthehet në normalitet”, shpjegon ajo. Reece u la të dilte nga spitali pas operacionit dhe pritet të rikuperohet plotësisht.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!