Në këtë atmosferë festash të fundvitit, mbretëresha e Britanisë dhe bashkëshorti i saj janë parë pranë qytetarëve duke udhëtuar me tren. Për herë të parë në darkën mbretërore të Krishtlindjes është ftuar edhe një çift edhe i pacelebruar, çifti Harry dhe e fejuara e tij Meghan.
Festat e Krishtlindjes përjetohen në mënyrë të veçantë edhe nga familja mbretërore në Britaninë e Madhe. Kështu Mbretëresha Elizabeta e II dhe Princi Filip janë parë të stacionin e trenit, ku do udhëtonin drejt Norfolk për të festuar në rezidencën Sandringham.
Mbretëresha 91 vjeçare kishte veshur një pallto ngjyrë lejla dhe mbante një shall në kokë, ndërsa Filipi 96 vjeçar mbante një kostum ngjyrë blu marine për këtë udhëtim të tyre të klasit të parë.
Vitin e kaluar mbretëresha dhe bashkëshorti i saj e kishin shtyrë udhëtimin në këtë zonë për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi mjekët u kishin këshilluar të pushonin gjatë festave.
Përgatitjet për festat kanë përfunduar edhe për familjen mbretërore e cila si zakonisht, edhe këtë vit do ketë mysafirë të veçantë. Pallati Kesington njofton se e fejuara e Princit Harry, Meghan Markle do u bashkohet festimeve mbretërore si dhe do jetë e pranishme në ceremonitë e mëngjesit në kishë, bashkë me Dukën dhe Dukeshën e Kembrixh.
Për ekspertët, prania e të fejuarës së princit Harry, është një gjest i pazakontë pasi zakonisht familja mbretërore bën ftesa të tilla vetëm për çiftet që e kanë zyrtarizuar marrëdhënien e tyre. Për pasojë Meghan Markle do jetë e fejuara e parë mbretërore e pranishme në darkën e Krishtlindjes.
Pas një marrëdhënie një vjeçare, Princi Harry dhe Markle njoftuan para një muaji lidhjen e tyre. Ata do martohen në maj 2018 dhe do banojnë në rezidencën Nottingam të Pallatit Kesington, pranë Princit William e Kate Middleton./abcnews.al