Britani, 8 kandidatë për zëvendësimin e May

schedule12:40 - 26 Maj, 2019

schedule 12:40 - 26 Maj, 2019

Janë 8 politikanët britanikë që kanë shprehur ambicjen për të zëvendësuar kryeministren në ikje Theresa Mej. Gara më e fortë parashikohet mes atyre që njihen si promovuesit e Breksit, ish-ministri i Jashtëm Boris Xhonson dhe ministri i Mjedisit, Majkëll Gov.

Ministri britanik i Mjedisit, Majkëll Gov është politikani i fundit që i është bashkuar garës për postin e kryetarit të konservatorëve, duke sfiduar kështu ish-aleatin e tij pro-Breksit, Boris Xhonson. Kjo do të thotë se dy figurat kyçe të fushatës për daljen nga BE-ja do të luftojnë për të çuar në fund procesin e Breksit.

Më parë, ata u përplasën në garën për lidership të vitit 2016, e cila u fitua nga kryeministrja në ikje Theresa Mej. Deri tani janë 8 kandidatët që kanë njoftuar ambicjet e tyre për postin e kryetarit, që kur Mej njoftoi se do të largohet nga detyra më 7 qershor. Ish-sekretari i Breksit, Dominik Reb dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Andrea Lidsom publikuan vendimin e tyre për t’iu bashkuar garës në gazetat e së dielës.

Ata iu bashkuan kështu ministrit të Jashtëm Xheremi Hant, ministrit për Zhvillim Ndërkombëtar Rori Stjuart, ministrit të Shëndetësisë Met Henkok dhe ish-ministres së Punës dhe Pensioneve, Ester Mek Vej. Të gjithë kandidatët janë përpjekur të vënë në dukje qëndrimin e tyre në lidhje me Breksit përpara zgjedhësve. Një vijë ndarëse është verifikuar mes Boris Xhonson, që ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të përgatitet të dalë nga BE më 31 tetor pa një marrëveshje dhe kandidatëve që kundërshtojnë opsionin në fjalë. Sidoqoftë, pikëpamja e fituesit të mundshëm do t’i japë formën Britanisë së Madhe në vitet e ardhshme, shkruan BBC në edicionin online. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!