Kryeministrja britanike Thereza Mej ka pësuar një tjetër disfatë në Parlament, me deputetët që kanë refuzuar skenarin e radhës të Breksit, edhe pse nga Brukseli kanë ardhur sinjale pozitive për lëshime.
Ligjvënësit britanikë mposhtën sërish kryeministren Thereza Mej në një votim simbolik mbi strategjinë e saj të Breksit. Me votën kundër, deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve minuan zotimin që ajo u ka bërë liderëve të Bashkimit Europian se mund të bëjë që marrëveshja e kontestuar të aprovohet në rast se Brukseli bën lëshime. Ligjvënësit gjunjëzuan strategjinë e qeverisë me 303 vota kundër përballë 258 pro. Edhe pse votimi nuk ka efekt veprues, shifrat e regjistruara në këtë proces mund të cënojnë besimin e liderëve europianë se Mej mund të fitojë mbështetjen e parlamentit edhe për një marrëveshje të rishikuar. Lëvizja e fundit pas dy vjet negociata për të lënë BE-në nxjerr në dukje përçarjet e thella në parlamentin britanik për mënyrën se si, apo nëse Britania duhet të largohet nga blloku europian, që do të sjellë dhe ndryshimin më të madh politik dhe tregtar të saj në më shumë se 40 vjet. Gjithashtu, ajo bën më të mundur shanset që Mbretëria e Bashkuar të largohet pa një marrëveshje, që do të ishte skenari më i keq për bizneset; por edhe që Breksit të shtyhet apo të mos ndodhë./abcnews.al