Brexit, Salvini sillet si Trump

schedule09:08 - 30 Korrik, 2018

schedule 09:08 - 30 Korrik, 2018

Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini, ka këshilluar kryeministren britanike Tereza Mej që të mos tregohet shumë e butë me Bashkimin Evropian lidhur me negociatat për Brexit. Sipas tij, nëse nuk imponon linjë të ashpër, Brukseli do ta mashtrojë atë.

“Përvoja ime në Parlamentin Europian më thotë se ju ose impononi ose ju mashtrojnë”.

Kështu zëvendëskryeministri italian dhe ministri i Punëve të Brendshme, Matteo Salvini, në një intervistë me Sunday Times, i bën thirrje Kryeministres britanike Theresa May të miratojë një linjë më të ashpër në negociatat me Bashkimin Evropian për Brexit. Për Salvinin, “për disa parime nuk ka nevojë të jesh fleksibël, dhe May nuk duhet të ndërmarrë hapa prapa”.

Sipas asaj që raporton Sunday Times, Salvini akuzon Bashkimin Evropian se kërkon të ndëshkojë Mbretërinë e Bashkuara pasi ka votuar në favor të Brexit.

“Nuk ka objektivitet apo mirëbesim në anën evropiane”, vëren zëvendëskryeministri italian.

Më tej, Salvini pohon se Italia është një mik i Londrës dhe dëshiron që May të dalë me një marrëveshje të mirë.

“Unë shpresoj se negociatat do të përfundojnë mirë në mënyrë që Mbretëria e Bashkuar të shërbejë si një shembull për ata që largohen nga Bashkimi Evropian.”

“Më kujtohet referendumi si një shembull i pjesëmarrjes dhe lirisë,- shton Salvini,– shpresoj që kjo të jetë një mundësi për britanikët”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!