Brexit, plani për sigurinë e Mbretëreshës

schedule13:16 - 3 Shkurt, 2019

schedule 13:16 - 3 Shkurt, 2019

Shërbimet sekrete britanike kanë nxjerrë dosjet e pluhurosura të kohës së Luftës së Ftohtë për të përgatitur një plan sigurie për mbretëreshën Elizabeth, në rast trazirash nga Breksit. Ndërkohë, kryeministrja britanike ka përsëritur se dalja nga BE do të ndodhë sipas afatit të parashikuar.

Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë përgatitur një plan që parashikon evakuimin nga Londra të mbretëreshës dhe anëtarëve të familjes mbretërore në rast trazirash për shkak të Breksit. Lajmin e bën të ditur “Sunday Times”, sipas së cilës programi është hartuar duke u bazuar në nisma të ngjashme të kohës së Luftës së Ftohtë, që në javët e fundit janë nxjerrë nga dosjet e pluhurosura të shërbimeve sekrete. Plani në fjalë fillimisht ishte menduar për t’u zbatuar në rast të një sulmi bërthamor nga Bashkimi Sovietik. Ndërkohë, në një shkrim në të përjavshmen tjetër “Sunday Telegraph”, kryeministrja Theresa May shprehet e vendosur për respektimin e afateve për largimin e Londrës nga BE. Megjithatë, ajo ka kërkuar mbështetjen e liderit laburist Jeremy Corbyn për t’i bërë presion BE-së, duke theksuar se beteja e saj është për Britaninë e Madhe. Kryetarja e qeverisë ka nënvizuar se është gati të kthehet në Bruksel me një mandat të ri nga Parlamenti, me ide të reja dhe më e vendosur se më parë. “Ligjvënësit kanë votuar për të kërkuar një marrëveshje alternative për të garantuar që kufiri me Irlandën e Veriut të mbetet i hapur pas Breksit”, ka thënë May. Por zëvendës kryeministri irlandez, Sajmon Kovenej është shprehur skeptik për shanset e një marrëveshjeje alternative./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!