Brexit, parashikim i zymtë për rritjen ekonomike

schedule20:10 - 18 Qershor, 2018

schedule 20:10 - 18 Qershor, 2018

Institucionet financiare të Londrës kanë bërë sërish parashikime të zymta për Britaninë. Sipas ekspertëve, dalja nga BE-ja do t’i shkaktojë Mbretërisë së Bashkuar një tkurrje ekonomike, plagët e të cilës do të jenë afatgjata.

Dhoma Britanike e Tregtisë reduktoi ndjeshëm të hënën parashikimet për rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar, duke e çuar në 1.3 për qind, më e ulëta që nga nisja e krizës financiare.

Parashikimi i zymtë i një prej institucioneve kryesore financiare të Londrës vjen në një moment kur politikanët britanikë po debatojnë nëse dalja e Mbretërisë nga Bashkimi Europian do të sjellë një shkurtim të buxhetit për shpenzimet publike. Të dhënat e publikuara nga Dhoma e Tregtisë sugjerojnë se Brexit zor se do të sjellë lehtësi në rritjen e financave publike.

Gjithashtu, përveç degradimit të rritjes ekonomike për vitin 2018, Dhoma ka degraduar edhe atë për vitin e ardhshëm në 1.4 për qind, duke nënvizuar se Brexit është shkaku kryesor i kësaj rënieje. Edhe ekspertë të fushës kanë paralajmëruar se me realizimin e Brexit, bizneset britanike do të përjetojnë një rënie të fitimeve, çfarëdo lloj marrëveshjeje të arrijë me BE-në qeveria e Theresa May.

May, që këtë fundjavë propozoi një financim prej disa miliardë paund për shërbimin shëndetësor, ka deklaruar se paratë e kursyera si pasojë e Brexit do të përdoren për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve. Por kritikët kanë ngritur dyshime nëse fondet do të jenë të mjaftueshme për të vendosur shëndetësinë në shinat e duhura dhe nëse do të menaxhohen në mënyrën e duhur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!