“Brexit nuk rinegociohet”, Juncker: BE të përgatitet për skenarin më të keq

schedule21:24 - 30 Janar, 2019

schedule 21:24 - 30 Janar, 2019

Brukseli i ka prerë hovin përpjekjeve të Londrës që kërkon shtigje alternative në marrëveshjen e Breksit. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka deklaruar se akordi i arritur është i panegociueshëm, ndërsa ka paralajmëruar se BE duhet të përgatitet për skenarin më të keq.

Bashkimi Europian i ka refuzuar thirrjet e Britanisë së Madhe për të rinegociuar marrëveshjen e Breksit. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka deklaruar se, votimi pro modifikimeve të martën në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit britanik nuk i ndryshon gjërat. “Akordi i divorcit nuk do të rinegociohet. Në fuqi mbetet marrëveshja aktuale, që është dhe më e mira. E kemi thënë këtë që në nëntor, ritheksuar në dhjetor dhe përsëritur në janar”, ka deklaruar Junker gjatë një raportimi mbi Breksit në Parlamentin Europian. Presidenti i Komisionit ka shtuar se votimi i një dite më parë në Londër i ka hapur rrugë rrezikut për një dalje të çorganizuar të Britanisë nga BE-ja, ndaj dhe Brukseli duhet të përgatitet për çdo lloj skenari, përfshirë më negativët. Edhe kryenegociatori europian për Breksit, Mishel Barnier ka deklaruar se çështja e kufirit irlandez është përcaktuar në marrëveshjen aktuale dhe nuk do të rinegociohet. Barnier ka theksuar se pakti aktual përbën “zgjidhjen më realiste” për të shmangur një përplasje të ashpër në lidhje me Irlandën e Veriut. Ligjvënësit britanikë votuan më herët gjatë muajit kundër marrëveshjes së arritur mes kryeministres Thereza Mej dhe Brukselit. Ndërsa të martën ata votuan pro kërkesës së Mej për të kërkuar marrëveshje alternative. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!