Liderët e BE-së dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord se nuk do të ketë samit të jashtëzakonshëm në nëntor sa i përket “Brexit”. Nga ana tjetër qeveria e Londrës po përgatitet për periudhë më të gjatë tranzicioni, që pritet të përfundojë në 2020.
Samiti në Bruksel mes kryeministres britanike, Theresa May dhe liderëve të Bashkimit Evropian nuk solli të reja. Ngërçi qëndron akoma: për momentin, me vendim të 27 vendeve anëtare të BE-së, mbetet i pezulluar edhe samiti i jashtëzakonshëm i 17 dhe 18 nëntorit derisa të ketë hapa konkretë dhe të dukshëm përpara në negociatat e divorcit. Megjithatë kjo nuk e shuan optimizmin e shefes së qeverisë së Londrës.
Periudha e tranzicionit të Britanisë së Madhe jashtë BE-së mund të zgjatet për “çështje muajsh” për të siguruar se nuk do të ketë pengesë kufitare me Irlandën e Veriut, thotë Theresa May. Kryeministrja nënvizoi se kjo ishte një ide e re, e cila doli gjatë negociatave dhe nuk parashikohej të përdorej. Mbretëria e Bashkuar largohet nga BE në mars të vitit që vjen dhe plani i tanishëm flet për një periudhë tranzicioni që përfundon në fund të 2020. Disa deputetë KOnservatorë dhe pjestarë të fushatës Brexit janë të zemëruar me idenë që Britania do të mbesë e lidhur me rregullat e BE-së më gjatë se sa parashikohej. Gjatë samitit në Bruksel, May iu drejtua 27 vendeve të mbetura të bllokut, duke u kërkuar atyre që të lëshojnë pe dhe t’i japin fund bllokimit aktual të Brexit.
Duke folur të enjten, May tha se Britania e Madhe kishte paraqitur tashmë një propozim për të shmangur nevojën për një kufi të vështirë ose një kufi doganor midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe. Londra do të shkëputet përfundimisht nga BE në 29 mars të 2019-s dhe periudha e tranzicionit, të cilën May e konsideron si periudhë implementimi, duhet të zbusë terrenin për një mardhënie të ardhshme permanente. Gjatë kësaj periudhe, që duhet të përfundojë me 31 dhjetor të 2020, raporti mes Britanisë dhe BE-së do të mbesë i njëjtë./abcnews.al

