Brexit, nacionalistët e Irlandës së Veriut nuk pranojnë marrëveshjen

schedule11:24 - 17 Tetor, 2019

schedule 11:24 - 17 Tetor, 2019

Edhe nëse arrihet një marrëveshje mes qeverisë britanike të kryeministrit Johnson dhe komisionit të Bashkimit Europian, marrëveshja vështirë se do të ratifikohet nga parlamenti britanik. Kjo për arsyen se partia nacionaliste e Irlandës së Veriut bëri të qartë se nuk do të mbështeste asnjë marrëveshje.

Liderja e partisë unioniste demokrate, të nacionalistëve të Irlandës së Veriut, Arlen Foster, dhe zëvendësi i saj Najgel Dods, bënë të ditur se nuk do të mbështesin marrëveshjen për Brexit mbi të cilën po punojnë qeveria e kryeministrit britanik Boris Johnson dhe Komisioni i BE-së. Pa mbështetjen e kësaj partie është e vështirë që parlamenti britanik të ratifikojë çfarëdo marrëveshje.

Me anë të një mesazhi të përbashkët në Twitter ata shkruajnë se në situatën aktuale nuk mund të mbështesin atë që sugjerohet për sa i përket çështjeve doganore. Më tej shtohet se do të vazhdojë puna me qeverinë në përpjekje për të arritur një marrëveshje të arsyeshme e cila funksionon për Irlandën e veriut si dhe mbron integritetin ekonomik dhe kushtetues të Mbretërisë së Bashkuar.

Kancelarja gjermane Merkel nga ana e saj u shpreh se ende nuk janë pranë një marrëveshjeje. Ajo iu referua negociatave për Brexit, gjatë fjalës në parlamentin gjerman. Merkel theksoi se kohët e fundit kishte pasur lëvizje përpara, por marrëveshja është ende larg./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!