Për Breksit nuk ka një zgjidhje ideale. Deklarata është bërë nga ministri britanik i Drejtësisë, i cili ka nënvizuar se Mbretëria e Bashkuar ndodhet në një moment të vështirë, pasi as vullneti i ligjvënësve nuk mund të injorohet.
Për Breksit nuk ka një zgjidhje ideale. Deklarata është bërë nga ministri britanik i Drejtësisë, Dejvid Gok, pak ditë pas refuzimit të tretë që iu bë marrëveshjes së kryeministres Mej në Parlament. Megjithatë, për ministrin Gok nuk do të ishte diçka pozitive injorimi i vullnetit të ligjvënësve, të cilët votuan për një dalje më të butë nga BE-ja.
“Marrëveshja e kryeministres ishte më e mira, por ndonjëherë duhet të pranosh një zgjedhje të dytë, ose të tretë për të shmangur një opsion që mund të jetë edhe më i keq”, ka deklaruar Gok. Ndërkohë, kryeministrja Theresa Mej është duke shqyrtuar lëvizjen e ardhshme pas humbjes së radhës në Parlament. Të hënën Dhoma e Përfaqësuesve do të mbajë një votim mbi alternativat e Breksit.
Një union doganor me Bashkimin Evropian mendohet të jetë varianti më i preferuar nga deputetët. Pas referendumit për Breksit të votuar në vitin 2016, Mej negocioi një marrëveshje tërheqjeje me BE-në. Edhe pse liderët evropianë ranë dakord me planin, zonja Mej duhet të marrë pëlqimin e Parlamentit. Kryeministrja ka kohë deri më 12 Prill për të kërkuar një shtyrje tjetër të daljes nga Unioni nëse nuk do që Mbretëria e Bashkuar të largohet pa një marrëveshje./abcnews.al