Brexit, Johnson paralajmëron zgjedhje më 12 Dhjetor

schedule18:45 - 24 Tetor, 2019

schedule 18:45 - 24 Tetor, 2019

Boris Johnson ka thënë se ai do t’u japë deputetëve më shumë kohë për të debatuar mbi marrëveshjen e tij të Brexit, por vetëm nëse ata bien dakord për zgjedhje të përgjithshme më 12 Dhjetor. Kryeministri i tha BBC-së se priste që BE të jepte një kohë shtesë për afatin e tij të 31 tetorit, edhe pse ai “me të vërtetë” nuk e dëshironte një të tillë. Ai i kërkoi laburistëve që të mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve në një votim që planifikon të zhvillojë javën e ardhshme.

BE pritet të japë të premten verdiktin për shtyrjen e Brexitit për tre muaj, ose më pak kohë se kaq, Në një letër drejtuar udhëheqësit të laburistëve, Jeremy Corbyn, zoti Johnson thotë se “opsioni i tij i preferuar” është një shtyrje e shkurtër “le të themi në 15 ose 30 nëntor”. Në atë rast, shkruan ai, ai do të përpiqet të kalojë marrëveshjen e tij përmes Parlamentit përsëri, me mbështetjen e laburistëve.

Kryeministri shton se ai “supozon se zoti Corbyn” do të bashkëpunojë me të për të miratuar marrëveshjen e re Brexit, në mënyrë që më mirë te dalin me një marrëveshje të re sesa pa asnjë marrëveshje. Nëse, siç pritet gjerësisht, vonesa për Brexit do të jetë deri në fund të janarit, zoti Johnson thotë se do të zhvillojë votim në dhomën e komuneve javën tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve më 12 dhjetor.

Nëse laburistët bien dakord me këtë, qeveria thotë se do të përpiqet të kalojë marrëveshjen e saj në parlament para se ai të shpërndahet për fushatën në 6 nëntor. “Nëse ata (deputetët) me të vërtetë duan më shumë kohë për të studiuar këtë marrëveshje të shkëlqyeshme, ata mund ta kenë atë – por ata duhet të bien dakord për zgjedhje të përgjithshme në 12 dhjetor”, tha Johnson./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!