Brexit jo thjesht një “incident”, ja leksionet që duhet të nxjerrë Bashkimi Evropian

schedule14:04 - 26 Tetor, 2020

schedule 14:04 - 26 Tetor, 2020

Nga Vernon Bogdanor, “The Guardian

Në më pak se 100 ditë, Brexit do të ketë përfunduar. Britania do të jetë zyrtarisht jashtë bashkimit doganor të Bashkimit Evropian dhe tregut të përbashkët. Por Brexit shtron shumë pikëpyetje si për BE-në ashtu edhe për Britaninë.

Ai sfidon atë që mund të quhet ideologjia e Evropës. Tek e fundit, kur një shtet anëtar i madh vendos të largohet, kjo është një çështje serioze për një organizatë demokratike. “Do të duhej të ishte”- tha Donald Tusk, asokohe president i Këshillit Evropian, menjëherë pas referendumit për Brexit në vitin 2016.

“Do të ishte një gabim fatal nëse supozojmë se rezultati negativ në referendumin britanik përfaqëson një problem vetëm për Britaninë. Vota pro Brexit, është një përpjekje e dëshpëruar për t’iu përgjigjur pyetjeve i bëjnë vetes çdo ditë që miliona evropianë”- tha Tusk.

Presidenti francez Emanuel Makron ishte mjaft i sinqertë në një intervistë për BBC në fillim të vitit 2018, kur tha se një referendum i ngjashëm në Francë mund të kishte prodhuar të njëjtin rezultat si në Britani. Atëherë, cilat janë mësimet që duhet të nxjerrim nga kjo ngjarje?

Në leksionin e saj në Bryzh të Belgjikës në vitin 2010 (po aq i rëndësishëm sa leksioni i Margaret Theçerit në vitit 1988, megjithëse më pak i vënë në dukje), kancelaria gjermane Angela Merkel vuri në dukje një tension të vazhdueshëm dhe kreativ midis dy Evropave – Evropës mbi-kombëtare dhe asaj ndërqeveritare.

Nëse ky tension shpërthen, dhe politikat mbi-kombëtare ndërhyjnë tek identitetet kombëtare, do të ketë rezistencë popullore. Problemet e shkaktuara nga emigracioni dhe euro, tregojnë në formë grafike se si BE mund ta ngjallë një rezistencë të tillë, nëse shkon përtej asaj që është e pranueshme, duke u dukur sikur po e sfidon identitetin kombëtar të vendeve anëtare.

Veprimet e forta të natyrës ekzekutive për të zgjidhur krizat e euros dhe emigracionit, mund të garantohen vetëm nga qeveritë kombëtare që punojnë së bashku. Këto kriza u përballën kryesisht nga qeveritë e vendeve anëtare të Këshillin Evropian:Komisioni dhe Parlamenti Evropian luajtën një rol dytësor.

Kriza e Covid-19, ashtu si krizat e shkuara, po çon drejt bisedimeve për një integrim të mëtejshëm. Disa udhëheqës të BE-së, po kërkojnë instrumente të rinj ekonomikë dhe buxhetorë që do të kulmojnë me bashkimin fiskal, në mënyrë që të forcojnë themelet e  euros.

Por me bashkimin fiskal, cilat çështje do të liheshin në dorën e qeverive kombëtare, kur kaq shumë politikë ekonomike hiqet nga rendi i ditës? Integrimi i mëtejshëm, dhe lëre më pastaj ndryshimi i Traktatit themeltar, është gjëja e fundit që i duhet Evropës.

Mbi-nacionalizmi, është sot një kërcënim për përmbushjen e idealit evropian, dhe jo një lehtësues i tij. Kohë më parë, në vitet 1990, kur Zhak Delor, ish-presidenti i komisionit, tha para Parlamentit Evropian se dëshironte që Evropa të bëhej një “federatë e vërtetë” deri në fund të mijëvjeçarit, presidenti i atëhershëm francez Fransua Miteran, që po e shihte nga duke televizori, shpërtheu:“Por kjo është qesharake! Çfarë bën ai? Askush në Evropë nuk do ta dëshirojë kurrë këtë gjë. Duke bërë ekstremistin, ai do të shkatërrojë edhe atë që është e mundur të arrihet!”.

Pak njerëz në Evropë kërkojnë të mbulojnë identitetin kombëtar të vendit të tyre nën suazën e një federate. Përkundrazi, ata synojnë të ndjekin interesat e tyre kombëtarë në një mënyrë konstruktive dhe brenda një kornize bashkëpunuese evropiane. Ndoshta Britania duhej të kishte bërë të njëjtën gjë.

Paradoksalisht, ekziston një ndjesi në të cilin Britania e Brexit, së bashku me Francën Goliste, ishin në pararojë e zhvillimit evropian, dhe jo pengesat për të. Që të dy e vlerësuan – Britania, falë historisë së saj të gjatë evolucionare, dhe Golistët si rezultat i përvojave të Francës gjatë luftës – se çfarë do të thoshte realisht sakrifikimi i sovranitetit në praktikë.

Kur në vitet 1990, kryeministri Xhon Mejxhër tha se Evropa nuk ishte ende gati për një monedhë të përbashkët, paralajmërimet e tij u injoruan, dhe ai u konsiderua si një ngatërrestar.

Por ndoshta shtetet e tjera anëtare duhet ta kishin dëgjuar atë që ai tha. Kjo sigurisht që do të ishte pikëpamja e vendeve të reja anëtare të Mesdheut, qytetarët e të cilave e shohin veten të papunë si rezultat i politikave të kursimit të shkaktuara nga euro.

Për ato shtete anëtare që dolën nga diktaturat, ishte e lehtë të thuhej, të paktën retorikisht, se ishin të etura ta sakrifikuar sovranitetin e tyre. Por edhe ato zbuluan se pranimi i sovranitetit të përbashkët, ishte subjekt i kufizimeve shumë të rrepta.

Gjermania, kur bëhej fjalë për ndarjen e borxheve; Greqia, kur ishte puna për kufizimet buxhetore; dhe vendet e Vishegradit të Evropës Qendrore (Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia), kur erdhi puna për të pranuar një kuotë proporcionale për pranimin e emigrantëve sirianë.

Ajo që i duhet Evropës, siç vinte në dukje shpesh Tusk, nuk është më shumë Evropë, por një Evropë më e mirë – me përmirësime praktike, siç është kompletimi i tregut evropian të shërbimeve. Tek e fundit, shërbimet përbëjnë 70 për qind të aktivitetit ekonomik në BE, por ka ende rreth 5.000 profesione të mbrojtura.

Ndërkaq, Evropa ka nevojë për një treg të vetëm digjital, të cilin kryeministri i Holandës, Mark Rute, e ka llogaritur se do t’i shtonte 400 miliardë euro PBB-së së Evropës. Pra BE, duhet të mbetet kryesisht një institucion ndërqeveritar në të cilin vendet anëtare, përmes këshillit Evropian, të diktojnë ritmin e ndryshimit.

Por një Evropë e tillë e shteteve, do të ishte një organizatë ndërqeveritare me një dallim: vendet anëtare do të kishin në konsideratë jo vetëm interesat e tyre kombëtare,  por interesat e të gjithë kontinentit. Evropa ka vuajtur në të kaluarën nga mungesa e një perspektive të tillë. Po të kishte ekzistuar në vitin 1914, dhe sikur qeveritë kombëtare të kishin marrë më konsideratë interesat e Evropës në tërësi, dhe jo thjesht interesat e tyre kombëtarë, Lufta e Parë Botërore do të ishte shmangur. Pra Brexit, nuk ishte një shmangie nga rregulli apo një “incident”. Në vend se ta duartrokisni apo kritikoni atë – pasi tashmë Brexit është një argumenti i të shkuarës- BE do të bënte mirë të nxirrte mësimet e saj nga kjo ngjarje. /Përktheu Alket Goce-abcnews.al

*Vernon Bogdanor, është profesor i çështjeve qeveritare në Kolegjin Mbretëror të Londrës, dhe autor i librit “Britania dhe Evropa në një botë të trazuar”.