Vëllai i vogël i kryeministrit britanik Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen si ligjvënës nga radhët e konservatorëve, duke i hapur probleme vëllait të madh, që po kërkon një shumicë për të imponuar zgjedhjet e parakohshme përpara skadimit të afatit të Brexit, më 31 Tetor.
Jo Johnson, vëllai i vogël i kryeministrit britanik Boris Johnson, ka dhënë dorëheqjen si ligjvënës dhe ministër, duke deklaruar se është i ndarë mes besnikërisë familjare dhe interesit kombëtar.
Ministri për Biznesin dhe njëkohësisht deputet i konservatorëve për zonën Orpington, në jug-lindje të Londrës, citoi “tensione të pazgjidhshme” si shkak për vendimin e tij.
Zoti Johnson votoi pro qëndrimit në BE në referendumin e vitit 2016, ndërsa vëllai i tij udhëhoqi fushatën pro daljes. Jo Johnson dha dorëheqjen nga posti i ministrit vitin e kaluar në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së Brexit të arritur nga kryeministrja Theresa May.
Por ai hyri sërish në qeveri gjatë verës, pasi konservatorët zgjodhën vëllain e tij të madh si lider. Dorëheqja e tij vjen pas braktisjes së partisë konservatore nga një deputet i saj që kundërshtonte daljen e Britanisë pa marrëveshje.
Gjithashtu, ajo vjen në një kohë kur qeveria njoftoi se ditën e hënë do t’u japë deputetëve një tjetër shans për të votuar për zgjedhjet e parakohshme. Votimi i ri për zgjedhjet është parashikuar pak kohë përpara se Parlamenti të pezullohet duke filluar nga java e ardhshme deri më 14 Tetor.
Duke komentuar vendimin, një zëdhënës i qeverisë britanike tha se, kryeministri falenderon të vëllain për shërbimin e ofruar. “Ai ka qenë një ministër i talentuar dhe brilant, si dhe një ligjvënës fantastik”, deklaroi zëdhënësi./ABC News Albania 24/7

