Brexit, çështja irlandeze ngadalëson negociatat mes BE dhe Britanisë

schedule14:23 - 21 Korrik, 2018

schedule 14:23 - 21 Korrik, 2018

Brukseli paralajmëron se koha për arritjen e një marrëveshjeje me Londrën për Brexit, po mbaron. Por çështja ende e pazgjidhur e kufirit irlandez po ngadalëson dhe më shumë negociatat, duke rrezikuar arritjen e një pike të përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

“Nuk mund t’i lejojmë vetës të humbasim dhe më shumë kohë”.

Është ky paralajmërimi i Bashkimit Europian ndaj Mbretërisë së Bashkuar për çështjen e kufijve irlandezë, që prek dhe negociatat me Brexit. Pa një siguri për Irlandën nuk do të ketë asnjë marrëveshje dhe asnjë tranzicion.

Fjalë që vijnë pasi kryeministrja britanike Theresa May i kërkoi Bashkimit Europian që të ndryshonte qëndrimin e tij. Koncept që May e theksoi në fjalën e saj në Irlandën e veriut. Sipas saj, propozimet e deritanishme nga Bashkimi Europian për zgjidhjen e ngërçit të kufirit irlandez janë të papraktikueshme dhe qeveria britanike nuk do i pranojë asnjëherë. Komisioni Europian ndërkohë i ka kërkuar qeverive të vendeve anëtare që të përgatiten për çdo skenar të mundshëm, duke llogaritur dhe mungesën e një marrëveshjeje përfundimtare me Londrën.

Negociatori për Brexit, Mishel Barnier tha gjatë një conference për shtyp në Bruksel se kryeministrja britanike May i ka premtuar garanci Bashkimit Europian dhe premtimi i saj duhet respektuar. Edhe pse Londra nuk dëshiron një kufi mes Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, synon gjithsesi të kontrollojë mallrat pasi mbretëria e bashkuar do të dalë nga tregu i përbashkët dhe nuk mund të humbasë kohë për këtë temë.

Deklaratat e Barnier vijnë pas informimit të ministrave në Bruksel dhe takimit të parë me ministrin e ri për Brexit të Mbretërisë së Bashkuar Dominil Rab. Koha po mbaron dhe problemet për t’u zgjidhur mbeten shumë. Pa një marrëveshje Mbretëria e Bashkuar mund të marrë një goditje shumë të fortë ekonomike dhe një rritje çmimesh të konsiderueshme kryesisht për qumështin dhe veshjet. Më shumë se tre milionë europianë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar mund të mbesin pa të drejta, ashtu si një million britanikët që jetojnë në Bashkimin Europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!