Brexit, Cameron akuzon Johnson: S’besonte tek referendumi, e mbështeti për karrierë

schedule11:50 - 15 Shtator, 2019

schedule 11:50 - 15 Shtator, 2019

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Dejvid Kamerun ka nxjerrë në dritë disa të fshehta të hidhura mbi pasardhësin e tij në krye të qeverisë britanike. Sipas Kamerun, Boris Xhonson as që donte t’ia dinte për Breksit 3 vjet më parë, por e mbështeti si opsion vetëm e vetëm për të bërë karrierë  politike.

Ish-kryeministri britanik Dejvid Kamerun ka akuzuar kryeministrin aktual Boris Xhonson se nuk besonte tek referendumi për Breksit tre vjet më parë, por mbështeti largimin nga BE-ja vetëm për karrierë politike. Në një artikull të publikuar në “Sandej Tajms”, ish-kryeministri ka kritikuar edhe ministrin Majkëll Gov, të cilin e ka cilësuar një ekstremist të etur. “Ata ishin një dyshe ambasadorësh të gjepurave dhe fshehjes së të vërtetës në moshën e populizmit”, ka deklaruar Kamerun.

Sa i takon Gov, ai i ka njohur atij vetëm një cilësi: “tradhtinë”. “Ai nuk ka qenë kurrë besnik ndaj meje dhe nuk ka qenë as ndaj bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, Boris Xhonson”, ka vijuar Kamerun. Deklaratat e fundit vijnë pas atyre të bëra ditën e shtunë, kur ai akuzonte dyshen politike në fjalë se ishin sjellë në mënyrë “tronditëse” gjatë fushatës së referendumit të vitit 2016. Kamerun ka shkruar më tej se, kur duhet të vendoste për qëndrimin ose largimin, Xhonson ishte i shqetësuar që të anonte nga rezultati më i mirë që do të dilte. “Cilido politikan që do të merrte përsipër udhëheqjen e procesit të Breksit, të mbushur me patriotizëm dhe thirrje për pavarësi do të bëhej i pari i partisë”, ka shkruar Kamerun.

Ai ka shtuar se Xhonson nuk donte të rrezikonte që dikush tjetër të merrte “kurorën” në këtë garë. Kamerun e organizoi referendumin pasi e premtoi atë gjatë fushatës zgjedhore në radhët e konservatorëve. Vetë ai loboi për qëndrimin në BE, por humbi me rezultatin 52 me 48 për qind dhe dha dorëheqjen pak kohë më vonë. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!