“Brenda vitit përfundon rruga e Dukagjinit”, Rama: Shefat e kuzhinës në Theth marrin 2 mijë euro, do të bëjmë planin e investimeve të reja

schedule13:01 - 30 Qershor, 2024

schedule 13:01 - 30 Qershor, 2024

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Thethi se brenda vitit do të përfundojë rruga e Dukagjinit, e cila do t’i japë mundësinë investimeve të reja.

Ai u ka bërë thirrje dhe shefave të kuzhinës të punojnë në Theth, pasi paguhen 2 mijë euro pagë dhe në fund të muajit kanë fitime.

Sakaq, Rama ka theksuar se do të bëjnë planin e investimeve të reja dhe për këtë bashkia e Shkodrës është duke punuar me një grup arkitektësh.

“Besoj që brenda vitit rruga e Dukagjinit do të përfundojë, do të hapi një tjetër perspektivë, do të hapi një tjetër zonë magjike që praktikisht është e pavizitueshme ose sot vizitohet me vështirësi shumë të madhe për shkak të asaj infrastrukturë po do të hapi një tjetër hapësirë për investimet e banorëve dhe shumëkujt që është në emigracion. Dhe jemi duke e përfunduar atë paketën e maleve që ju thashë kur erdha këtu, në mënyrë që t’u japim mundësi të gjithë atyre që janë në emigracion që të kthehen sepse Beneti po më thoshte se ka kërkesa gjithmonë e më në rritje për t’u kthyer dhe për të investuar në tokën e tyre dhe që nuk e kanë sot me letra. Prandaj dhe ne po ndërtojmë një program të veçantë për malet që të mund tu jepet toka, të mund t’u jepet mundësia të ndërtojnë me leje përpara se të marrin titullin përfundimtar të pronësisë, në një marrëdhënie drejtpërdrejtë me shtetin, me atë qiranë e famshme 1 euro. 1 euro për të marrë tokën për të ndërtuar, ndërkohë vazhdon proceset, po ama ajo tokë është e jotja, nuk ta merr njeri dhe duke pasur kontratën me shtetin ti mund të shkosh në bankë. Tek banka do të bëjmë një tjetër ndërhyrje për të vënë një garanci shtetërore për kreditë tuaja, sepse pashë disa marrëveshje me banka të pak njerëzve këtu me interesa shumë të larta, edhe këtu do të bëjmë një ndërhyrje që ta lehtësojmë dhe në këtë mënyrë të mbyllim të gjithë ciklin dhe t’u japim mundësi atyre që janë jashtë që të investojnë këtu. Kanë filluar ta bëjnë, por me të drejtën e Zotit, aty ku nuk kanë letrën e tokës e kanë shumë të vështirë për shkak se nuk kanë mundësi të marrin asnjë lloj kredie mbështetëse.

Përfitoj nga rasti, se ju e dini po nuk e dinë ata që na ndjekin. Shefat e kuzhinës këtu në Theth marrin deri 2 mijë euro rrogë në muaj, 2 mijë euro. 2 mijë euro pagë në muaj një shef kuzhine që i merr këtu, po nga ana tjetër këtu nuk ka as nevojë që të ketë një shtëpi me qira, siç e ka kur punon në kuzhinë në Greqi, as që të shkojë të marri makinën e të vijë nga puna në shtëpi, nga shtëpia në punë e të harxhojë karburant përditë. As që të paguajë taksa si ato që paguan ai që i merr ato 2 mijë euro dhe që nganjëherë si merr fare, se merr shumë më pak në Greqi dhe në fund të muajit, atij shefit të kuzhinës këtu që edhe të ngrënë edhe të pirën e ka po këtu, edhe krevatin për të fjetur e ka po këtu dhe nuk e paguan, i mbeten gjithë ato lekë. Llogaria është e bërë, është e bërë, për të gjitha ata që duan ta bëjnë duke parë faktet, ata që duan ta bëjnë llogarinë duke parë televizor nuk iu del kurrë llogaria. Dhe ajo që vjen e fundit, jo për nga rëndësia, siç edhe sot ne nuk do ta mbyllim këtë takim duke dhënë titujt e pronësisë, prandaj do të japim pak tituj pronësie kështu në këmbë e pastaj të tjerat do ti merrni më pas, po do t’iu prezantojmë edhe planin e investime të reja që do të bëjmë këtu. Është një plan i punuar nga bashkia me një grup arkitektësh të talentuar dhe për të cilin ne kemi përgatitur edhe fondin e nevojshëm që ta fillojmë dhe që të përmirësojmë më tutje infrastrukturën e përbashkët këtu dhe të adresojmë disa nga ato problemet që ju keni.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!