“Brenda 2024, krijojmë këshillin e parë të zhvillimit strategjik”, ministri turk: Të pastrohen mbetjet e FETO-s

schedule12:31 - 29 Janar, 2024

schedule 12:31 - 29 Janar, 2024

Turqia i kërkon sërish Shqipërisë të shkatërrojë të gjitha lidhjet e organizatës gyleniste Feto, rivalët politikë të Erdogan, të shpallur nga Ankaraja si organizatë terroriste. Qëndrimi u përsërit nga Ministri për Punët e Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan i cili vizitoi këtë të hënë Tiranën.

“Diskutuam në lidhje me pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri, prandaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje. Diskutuam çfarë hapash mund të hidhen konkretisht për këtë. Ne kemi një bashkëpunim në sektorë të ndryshëm dhe marrëdhënie shumë të mira. Kemi pasur mundësi të marrim pjesë në projekte të përbashkëta. Sot bëmë një takim frytdhënës, do të vazhdojmë takimet edhe me zotin kryeministër. Gjatë këtyre takimeve, do të marrim në diskutim marrëdhëniet e mira që t’i çojmë në një nivel më të lartë. Do të kërkojmë bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Është e rëndësishme miqësia midis dy vendeve. Shqipëria dhe Turqia si shtete janë të lidhura nga ana historike. Në këtë ka ndihmuar edhe solidariteti midis presidentit dhe kryeministrit Rama. Kjo është një platformë e mirë për të zhvilluar më tutje bashkëpunimin. Kemi zhvilluar marrëdhënie në shumë fusha, jemi të vendosur për t’i zhvilluar më tej këto bashkëpunime. Ka shumë fusha ku do të punojmë në mënyrë të pandërprerë, sidomos marrëveshja për njohjen e patentave apo çështjen në lidhje me vizat. Marrëdhënia midis dy vendeve janë të bashkuara tek besimi tek njëri-tjetri.

Kemi krijuar disa mekanizma të caktuara dhe qëllimi është që brenda 2024 të zhvillojmë këshillin e parë të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik. Shpresojmë që edhe tregtia të arrijë deri në 2 miliardë dollarë. Dje në mbrëmje patëm një takim edhe me biznesmenët turq, ku diskutuam rreth aktiviteteve për mundësitë e investimit në Shqipëri. Ne këtë kapacitet duhet ta zhvillojmë edhe më shumë. Nga ana tjetër, ne bëmë diskutime edhe për tema të tjera si lufta kundër terrorit apo çështje rajonale.”, u shpreh ministri turk.

Ministri turk vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që ka marrë Shqipëria në diplomacinë ndërkombëtare. “Vitin e kaluar, Shqipëria ishte anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB. E përgëzoj Shqipërinë për këtë. Ka qenë përfitim i rëndësishëm për diplomacinë shqiptare.”

Një thirrje ai bëri edhe për ndërkombëtarët teksa tha se duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar atë që po ndodh në Gaza. Fidan theksoi në deklaratë për mediat se nëse pengohet dërgimi i ndihmave, përveç civilëve të vrarë nga bombardimet, shumë palestinezë do të humbasin jetën për shkak të urisë.

“Ka kaq shumë ditë që mijëra të pafajshëm po masakrohen por në këtë pikë po përballemi me një nivel tjetër të masakrës. Ndërkohë që ka shumë jetë të humbura nga bombardimet, tashmë kemi miliona palestinezë që janë marrë robër dhe të lënë në kushtet e varfërisë dhe urisë. Nuk po jepet leje për ndihmat humanitare në Gaza dhe kjo tregon se një fatkeqësi e madhe po ndodh. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka treguar një reagim në nivelin e duhur, prandaj dua ta ftoj opinionin ndërkombëtar që të përdorë metoda të tjera që personat në kushtet e urisë që të përfundojë sa më shpejtt sepse në të kundërt do të jetë shumë vonë. Do të humbasin edhe shumë njerëz për shkak të urisë. Duam që atje të bëhet i mundur dërgimi i ndihmave.“, shtoi Fidan. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!