Vllaznia dhe Skënderbeu përballen mes tyre në fundjavë, ndërkohë që në të dyja klubet ka dy çështje: Godfrey Walusimbi dhe Dejvi Bregu. I pari, nën kontratë me shkodranët, nuk është shfaqur në kampin kuqeblu dhe së fundmi ka të reja.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja sportive “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë ka pësuar një aksident në vendlindje dhe ka dëmtuar këmbën. Ai ka kontaktuar drejtuesit e Vllaznisë dhe kërkon që të zgjidhë kontratën. Tashmë duhet arritur një marrëveshje dhe në mes ka edhe pagesa, për të cilat duhet gjetur një zgjidhje.
BREGU – Në Korçë po punojnë për të shitur një nga lojtarët kryesorë të skuadrës së tyre. Vlonjati realizoi dy gola në fitoren e fundit të Skënderbeut kundër Teutës dhe dëshira e tij për të luajtur në një kampionat më të fortë është më e madhe.
Suedia është opsioni i tij për të ardhmen. Presidenti Ardjan Takaj ka zbuluar më parë se Bregu mund të transferohet në Skandinavi, ndërkohë që tanimë është zbuluar edhe emri i klubit me të cilin po tentohet të mbyllet marrëveshja.
Drejtuesit e klubit korçar janë në bisedime me homologët e tyre të Hammarby, klub ku është bashkëpronar Zlatan Ibrahimovic. Kampionati në Suedi nis në prill dhe merkato është ende e hapur, ndaj edhe shpresat për një transferim të Bregut janë të mëdha. /abcnews.al