Bregu: Besoj shumë te kjo skuadër, Skënderbeu e ruan vendin e katërt

schedule16:42 - 21 Maj, 2020

schedule 16:42 - 21 Maj, 2020

Dejvi Bregu është një nga futbollistët më të talentuar të Superiores. Sulmuesi ka shënuar 9 gola këtë sezon me Skënderbeun, duke barazuar rekordin personal të vendosur me Luftëtarin në sezonet 2016-2017 dhe 2017-2018.

24-vjeçari ka folur për Supersport rreth rifillimit të seancave stërvitore dhe rinisjes së kampionatit. Bregu beson fort te shokët e skuadrës, nuk mjaftohet me vendin e katërt në renditje dhe e mbyll me një urim për të gjithë lojtarët.

STËRVITJA – “Gjithmonë është bukur të bashkohesh me shokët, pasi vinim nga një periudhë mjaft e mirë, qoftë personale, qoftë edhe si ekip. Megjithatë kemi qenë një kohë të gjatë pa aktivitet, ndaj shpresoj të gjejmë sa më shpejt formën më të mirë. Normal që periudha për t’u përgatitur nuk është aspak e mjaftueshme, por unë kam besim te ekipi se mund t’ia dalim, pasi kemi cilësi në grup”.

OBJEKTIVAT – “Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart dhe ne e kemi treguar që jemi të barabartë me këdo nga ekipet e para të renditjes. Shpresoj të ruajmë këtë pozicion, pse jo të ngjitemi më lart. U uroj të gjithë sportistëve ta kalojnë sa më mbarë këtë periudhë dhe pa asnjë dëmtim”. /abcnews.al