Thomas Brdaric e filloi me tre pikë sezonin e ri në Kategorinë Superiore. Vllaznia e tij fitoi 2-0 në shtëpi përballë Apolonisë, teksa Thomas Brdaric, trajneri i ekipit shkodran, analizoi sfidën e fituar kundër fierakëve në prononcimin e dhënë për Supersport.
“Mendoj se e merituam fitoren, jam i kënaqur. Luajtëm fort në pjesën e parë, por nuk e gjetëm rrjetën. Ky mund të ishte gabimi i vetëm. I kërkova lojtarëve në pushim që të tregoheshin me të qetë dhe të kishin durim, pasi nuk mund të luanim gjithë kohën në presion. Jam shumë i lumtur.
Mbrojtja me 3? E kemi nisur çdo ndeshje me idenë që duam të shfaqemi solidë dhe të kemi një mënyrë tonën të lojës, mund të luajmë me 3 ose me 4 pas, çdo ndeshje është një kapitull i ri.
Ne duam të krijojmë një skuadër, ky është objektivi i parë. Jemi të fortë, pashë që djemtë donin të luanin futboll, pres nga ata që të japin në çdo ndeshje maksimumin.
Jam shumë i interesuar për Superioren, kërkoj gjithmonë informacione. Kam punuar te Shkëndija dhe kam pasur informacion për futbollin shqiptar. Më pëlqen mënyra se si po e reklamoni futbollin shqiptar.
Tërheqja? Ndoshta lojtarët u frikësuan disi, kjo për shkak të së shkuarës. Duhet të mësojmë të kemi më shumë besim. Luajtëm në nivel të lartë, me kalimin e javëve do na shtohet besimi, intensiteti në lojë dhe agresiviteti“, përfundon Brdaric. /abcnews.al