Vllaznia luan te enjten, prej orës 19:00, kundër AEL Limassol në turin e dytë të Conference League. Para nisjes për në Qipro, trajneri Thomas Brdaric ka folur për mediat në Shkodër.
“Skuadra është gati për ndeshjen me AEL. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ta studiojmë kundërshtarin dhe mënyrën si ai luan.
Kemi të bëjmë me një skuadër të mirë, në radhët e të cilës ka lojtarë me shumë cilësi. Gjithsesi kanë edhe ato pikat e dobëta dhe do mundohemi t’i godasim pikërisht aty.
Çdo kundërshtar është i vështirë. Në këtë fazë që kemi mbërritur duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Me Shiroki Brijeg ndoshta kemi treguar pak naivitet.
Fatmirësisht edhe orari i ndeshjes tashmë është ndryshuar nga UEFA dhe kushtet do të jenë më të mira për të dy ekipet, që të zhvillojmë një takim të mirë.
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj AEL, kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë agresiv dhe sulmues dhe kuptohet edhe atmosfera në stadium do të jetë në favorin e tyre.
Ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha këto dhe të japim më të mirën tonë, për të tentuar një rezultat sa më të mirë të mundshëm.
Vetëm Da Silva nuk do të jetë i gatshëm, pasi është i dëmtuar. Të tjerët janë të gjithë në dispozicion dhe shpresoj që secili prej tyre të japë më të mirën, në këtë sfidë shumë të rëndësishme”, tha Brdaric në mbyllje. / abcnews.al