Vllaznia do të zhvillojë nesër ndeshjen kundër Teutës, në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 16:45. Në këtë sfidë shkodranët do kërkojnë të shfrytëzojnë momentin negativ në të cilën ndodhen djemtë e detit dhe të marrin 3 pikët.
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric në konferencën për shtyp është shprehur se pavarësisht se në çfarë momenti janë kampionët, ata janë në gjendje të reagojnë.
Tekniku i shkodranëve e konsideron një sfidë vërtetë të fortë, por është i bindur se skuadra e tij do vazhdojë serinë e fitoreve edhe në këtë sfidë.
Teuta? “Duhet të jemi të përqendruar pas dy fitoreve radhazi. Ne kërkojmë që të jemi të uritur dhe shpresojmë që të marrim rezultatin maksimal. Teuta është skuadra kampione, nga e kaluara ata janë skuadra më e mirë. Kohët e fundit kanë patur disa ngërçe, por për mua nuk janë deçizive rezultatet e fundit të tyre. E dimë se çfarë është e aftë Teuta të bëjë dhe ne duhet të jemi gati ta përballojmë këtë gjë.
Për mua është e rëndësishme që ne të jemi të përgatitur për këtë ndeshje. E kemi analizuar Teutën dhe themi që ka një mënyrë të veçantë sesi duhet të përballesh ndaj tyre. Për ne është mundësi e mirë që të shfrytëzojnë krizën e tyre në mënyrë që të marrim 3 pikë. Ajo që ka rëndësi është që ne të jemi të fokusuar që të japim më të mirën tone e pastaj gjërat do të vijnë vetë”.
Ndeshja në “Elbasan Arena”? “Jemi gjithmonë të lumtur kur luajmë në një fushë me kushte shumë të mira. Mendoj se për të dyja ekipet është gjë e mirë që të luajnë në një fushë të mirë”.
Faza sulmuese? “Është gjë shumë e mirë që ne kemi disa lojtarë të ndryshëm që bëjnë diferencën, por duhet të kujtojmë që kjo është një punë në grup dhe ne duhet ta shfrytëzojmë gjithmonë këtë gjë”.
Skuadra? “Besoj se jemi të plot për ndeshjen e nesërme. Për shkak të motit mund të kemi ndonjë surprizë. Kushdo që do të zbresë në fushë është shumë i motivuar dhe ne kemi besim të madh te vetja jonë”.
Presioni te Teuta apo te Vllaznia? “Për mendimin tim, kyçe është forma që po kalon një skuadër më pas janë edhe disa aspekte të tjera. Ne do mundohemi të japim më të mirën tonë dhe do të shkojmë nesër në Elbasan për t’i shkaktuar humbjen Teutës”.
Atmosfera pozitive? “Atmosfera në grup është diçka e rëndësishme e për këtë gjë duhet të punohet. Siç dihet ne do të shkojmë në Durrës për t’u stërvitur në mënyrën më të mirë. Përveç atmosferës janë edhe disa aspekte të tjera dhe ne po përpiqemi së bashku me lojtarët që të marrim maksimumin”, deklaroi Brdaric. /f.a/abcnews.al