Vllaznia ndihet gati për sfidën e parë të Superligës ndaj Apolonisë. Trajneri Thomas Brdaric thekson se futbollistët e tij mezi presin të luajnë, pas 3 muajsh pritjeje
Ndoshta nuk i ka ndodhur kurrë më parë kjo gjë. Thomas Brdaric është prej 3 muajsh trajner i Vllaznisë, por vetëm të dielën e kaluar provoi ndeshjen e parë zyrtare, ndërsa tani për tri ditë vjen e dyta. Përballë shkodranëve do të jetë Apolonia, ndërsa pritshmëria është e madhe nga publiku shkodran për këtë sezon.
“Përqendrimi ynë është vetëm tek Apolonia. Kjo ndeshje është si finale. Jemi të përgatitur. E dimë se Apolonia tani ka ardhur në Superiore, por ka synimet e veta. Ne jemi të përgatitur për të marrë rezultatin pozitiv, por gjithashtu mendojmë se kjo do të jetë një sfidë e mirë për ne”.
Suksesi 7-0 në Kupë ndaj Devollit mos ndoshta ka shkaktuar eufori? “Çdo rezultat i mirë na jep besim në vetvete, pra është i mirë, por nuk ka sesi të ketë eufori. Është fillimi i sezonit, ndërsa kemi 3 muaj që përgatitemi. Lojtarët mezi presin që të luajnë, por rezultati nuk mund të parashikohet”.
Sa e njeh trajneri kundërshtarin dhe a i druhet sadopak? “Unë nuk kam frikë nga askush. Unë kam shumë respekt për kundërshtarin, por kjo ndeshje është e rëndësishme jo vetëm për skuadrën. Një fitore do të ishte pozitive për publikun, për tifozët dhe për qytetin në përgjithësi”.
Vllaznia ka pasur probleme sezonet e fundit, duke qenë ekip 100 për qind i Bashkisë Shkodër, ndërsa tani ka një sponsor që drejton dhe do të hyjë në fazën e privatizimit. /abcnews.al