Vllaznia konfirmoi formën e mirë të këtij fillim sezoni dhe sot arriti një fitore spektakolare në Kupën e Shqipërisë. Kuqeblutë e Thomas Brdaric mposhtën 8-0 Elbasanin e Kategorisë së Parë, duke u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Trajneri i ekipit shkodran foli për mediat rreth fitores së sotme, duke u shprehur i kënaqur me performancën pozitive të djemve të tij dhe faktin që ata shënuan shumë gola.
“Fituam një ndeshje me rezultat të thellë, takim që e kishim vlerësuar ashtu si duhet, kjo edhe për shkak të surprizave në ndeshjet e djeshme të Kupës. Nuk donim të përballeshim me ndonjë të papritur.
Ia dolëm të fitonim dhe të kualifikohemi në turin tjetër të Kupës. Shoh që qyteti i Shkodrës është i kënaqur me atë që po bëjmë, le të shohim përpara edhe në këtë turne. Jam i kënaqur që shënuan të gjithë sulmuesit, kemi punuar shumë në këtë drejtim edhe është e rëndësishme që po shënojmë.
Aktivizuam edhe disa lojtarë të stolit, por nuk është se do kemi mundësinë t’u japim të gjithëve minutat e duhura. Tani të fokusohemi te Tirana. Na pret një sfidë e vështirë, por rëndësi ka të bëjmë punën tonë“, deklaroi trajneri gjerman. /abcnews.al