Brazili u vërshëllye nga tifozët pas barazimit me Venezuelën në Kupën e Amerikës. Skuadra vendase pati tre gola të anuluar nga teknologjia VAR.
Nuk ishte një ndeshje e lumtur, dhe krijoi tension e dyshime. Faktori fushë mund t’i kthehet në bumerang Brazilit, nëse nuk do të arrijë të fitojë, dhe kjo i ndodhi në përballjen teorikisht të lehtë ndaj Venezuelës në Kupën e Amerikës.
Edhe pse “Seleçao” luajti në shtëpi, nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, ndërsa një rol të rëndësishëm luajti teknologjia VAR. Brazilianëve të trajnerit Tite iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje, dhe një tjetër rrjetë për faull, në një mbrëmje të vështirë në stadiumin e Bahias.
Philipe Coutinho realizoi më kot herën e parë, më pas viktimë e VAR-it u bë Gabriel Jesus, ndërsa goli i tretë i quajtur i pavlefshëm, ishte i Roberto Firminos. Dyshimet janë të mëdha nëse ekipi përfaqësues është tepër i varur nga Neymari, që nuk luan në këtë Kupë për shkak dëmtimi.
Në një vend me njerëz gjaknxehtë si Brazili edhe mediat nuk mund të bënin përjashtim.
“O Globo”: VAR-i i anulon dy gola, por Brazili mbetet me ankthet dhe oshilacionet e tij! Kombëtarja krijon raste për gola, por ende nuk bind!
“Estado de Minas” nuk i kushton shumë vëmendje kombëtares së meshkujve, pas barazimit me Venezuelën, ndërsa foton dhe titullin kryesor ia kushtoi legjendës së Brazilit të femrave, Marta, që u bë shënuesja më e mirë në historinë e Botërorëve, duke kaluar gjermanin Klose.
“O Korreiro Braziliense”: Të shqetësuar në Bahia! Me dy gola të anuluar nga VAR-i kombëtarja braziliane barazon me Venezuelën, pa bindur! Marta vë Botën nën këmbët e saj!
“Tribuna”: VAR-i anulon dy gola, dhe Brazili barazon me Venezuelën! Një futboll burokratik! Vajzat e Brazilit shkëlqejnë, dhe kombëtarja fiton me gol të Martës!
Tifozët e vërshëlluan skuadrën në “Arena Fonte Nova” të Bahias, duke qenë të pakënaqur me lojën dhe me rezultatin, ashtu siç bënë edhe në fitoren 3-0 ndaj Bolivisë në Sao Paulo.
“Nuk kam ankesa për teknologjinë, – u shpreh trajneri Tite, pas ndeshjes, – VAR-i ishte korrekt dhe skuadra duhet të tregohet më e pjekur në situata të tilla. Situata të tilla do të ketë gjithnjë. Po ashtu, nuk mund të kritikoj tifozët. Ata duan gola, ashtu siç dua edhe unë. Duhet të përmirësohemi nëse duam që tifozët të jenë me ne, dhe nëse duam që ta fitojmë këtë kupë në shtëpi”.
Brazili kryeson grupin A me 4 pikë, po aq sa Peruja që fitoi 3-1 ndaj Bolivisë./ABC News Albania 24/7