Në letër nuk ka ndeshje. Brazil-Japoni duhet të jetë një sfidë me një kah, sigurisht me fitues pesë herë kampionët e botës. Por Carlo Ancelotti e di mirë që nuk është kështu.
Tekniku italian, i cili ka kthyer “Selecao” mes favoritëve në finalet e nje Kupe Bote, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme që nga triumfi i vitit 2002, pret një ndeshje të vështirë, ashtu siç edhe nënvizoi në konferencën zyrtare për mediat.
Kujdesi dhe përqëndrimi janë të tjera karakteristika të shtuara te Brazili, dukshëm më “europian në tre ndeshjet e grupit ku shënoi një barazim dhe dy fitore.
Optimizmi i tifozëve brazilian merr të tjera doza edhe nga statistikat e tjera në këtë Botëror: shtatë gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar.
Në ndeshjen e parë me eliminim direkt në këtë Botëror, Ancelotti duhet t’I bëjë llogaritë pa Raphina, që ende vazhdon të rrezikojë pjesën tjetër të turneut.
Pjesa tjetër e lojtarëve është dispozicion, përfshirë edhe Neymar, që pasi debutoi në ndeshjen e fundit të grupit kundër Skocisë kërkon të marrë më shumë minuta.
Nga ana tjetër, Japonia ka pak shanse sipas parashikimeve të kësaj sfide.
Por skuadra aziatike ka treguar se mund të bëjë surpriza të mëdha, si katër vite më parë në Katar, kur nxorri jashtë Botërorit Gjermaninë.
Po ashtu, në ndeshjet e grupit në këtë turne “Samurait” barazuan me Suedinë dhe Holandën, ndërsa mundën 4-0 Tunizinë. Por tani gjërat janë ndryshe. Në sfidat teke nuk ka vend për asnjë gabim, ndërsa dyshimet e vetme për Japoninë përpara sfidës me Brazilin janë Itakura dhe talenti Kubo pas dëmtimeve të pësuara në ndeshjet e grupit./abcnews.al



