Brazili mund Argjentinën

schedule23:40 - 17 Tetor, 2018

schedule 23:40 - 17 Tetor, 2018

Brazili ia doli ta fitonte miqësoren ndaj Argjentinës luajtur në Arabinë Saudite. Gjithsesi, yjet e mëdhenj brazilianë nuk e patën aspak të lehtë ndaj një ekipi pa Lionel Mesin.

Nuk mund të presësh maksimumin kur një ndeshje luhet në Arabinë Saudite. Me gjithë kushtet e mrekullueshme të infrastrukturës në stadiumin “Qyteti Sportiv Mbreti Abdullah”, sërish loja la për të dëshiruar, edhe pse Brazili ishte i mbushur me yje. Argjentina jo edhe aq, me mungesa të mëdha, edhe pse dha maksimumin për të mos u turpëruar në Superklasiken botërore. Brazili, që pati në fushë lojtarë të mëdhenj, u desh të falej tek rrjeta e mbrojtësit Miranda në minutën e 90-të, pas goditjes nga këndi të Nejmarit.

Trajneri Tite hodhi një fushë një formacion me të vërtetë të madh, ku bënin pjesë Alison, Markinjos, Miranda, Kasemiro, Kutinjo, Gabriel Zhezus, Firmino apo Nejmar. Talente të mëdhenj edhe ata të stolit, ndonëse zëvendësime u bënë vetëm dy. Argjentina pati shumë më tepër mungesa. Mesi, Aguero, Higuain e Di Maria e refuzuan kombëtaren këtë herë, por gjithsesi talenti ishte me Dibalën dhe Ikardin në sulm.

Të mbiquajturit “Gauços” luftuan fort, madje ashpër dhe arbitri pati shumë punë, por përfundimisht, miqësoren në Xhedah, e vendosi Miranda. Kjo ishte fitorja e 39-të e brazilianëve ndaj rivalëve të tyre më të mëdhenj, ndonëse bilanci i tyre mbetet negativ, pasi kanë humbur plot 45 herë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!