Brazil, policia konfiskon pasaportën e ish-presidentit Bolsonaro

schedule09:28 - 9 Shkurt, 2024

schedule 09:28 - 9 Shkurt, 2024

Policia në Brazil konfiskoi pasaportën e ish-presidentit, Jair Bolsonaro të enjten duke e akuzuar për përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022 dhe për të vazhduar në pushtet pasi humbi nga rivali Luiz Inacio Lula da Silva.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, i cili drejton hetimin, tha se Bolsonaro mori një projekt-dekret të përgatitur nga ndihmësit e tij që të përmbys rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe të lëshojë urdhër-arreste për Moraes dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Gilmar Mendes si dhe liderin e Senatit Rodrigo Pacheco në nëntor 2022, një muaj pas votimit.

Bolsonaro më pas thirri në takim komandantët ushtarakë për t’u bërë presion që t’i bashkohen grushtit të shtetit, sipas raportit të policisë. Katër persona u arrestuan dhe 33 urdhër arresti u ekzekutuan të enjten si pjesë e hetimit, thuhet në deklaratën e Policisë Federale të Brazilit.

“Të enjten, Policia Federale nisi operacionin ‘Tempus Veritatis’ për të hetuar organizatën kriminale që veproi në përpjekje për të kryer grusht shteti dhe për rrënimin e shtetit ligjor demokratik, me qëllim që të përfitonte avantazh politik duke mbajtur në pushtet presidentin e atëhershëm të republikës”, thuhet në deklaratë.

Operacioni kishte në shënjestër disa nga aleatët më të ngushtë të Bolsonaros, përfshirë Walter Braga Netto, ish-zëvendësin e Bolsonaros; Augusto Heleno, ish-Sekretar i Sigurisë Institucionale; ish-ministri i Mbrojtjes Paulo Nogueira Batista dhe ish-ministri i Drejtësisë, Anderson Torres.

Ish-presidenti i krahut të djathtë ka mohuar fajësinë dhe tha se është viktimë e persekutimit politik. “Unë u largova nga qeveria më shumë se një vit më parë dhe ende po vuaj nga persekutimi i pamëshirshëm”, tha Bolsonaro për gazetën “Folha de S.Paulo” të enjten.

Megjithatë, ai përballet me hetime të ndryshme që rrjedhin nga koha kur ishte në detyrë, përfshirë përpjekjen që të mbajë disa bizhuteri që i kishte dhënë familja mbretërore saudite dhe për falsifikimin e certifikatës së tij të vaksinimit COVID-19.

Lula da Silva u tha mediave lokale se “pa Bolsonaron nuk do të kishte patur asnjë përpjekje për grusht shteti”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!