Brazil, gjykata elektorale ndalon rikandidimin e Lula da Silvas

schedule17:42 - 1 Shtator, 2018

schedule 17:42 - 1 Shtator, 2018

Një gjykatë në Brazil i ka ndaluar ish-presidentit Lula kthimin në politikë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Duke reaguar, partia e ish-kreut të shtetit ka deklaruar se do ta kundërshtojë vendimin, si në rrugë gjyqësore ashtu edhe me protesta popullore.

Gjykata elektorale në Brazil i ka ndaluar ish-presidentit Lula da Silva kandidimin për president në zgjedhjet e ardhshme, për shkak të dënimit të tij për korrupsion. Gjyqtarët votuan kundër kandidimit të tij në procesin e nëntorit me një shumicë prej 6 votash pro dhe 1 kundër. Lula, 72 vjeç, kishte vendosur të përfshihej në procesin zgjedhor pavarësisht se është duke shlyer një dënim me 12 vjet burg për marrje ryshfeti. Ekipi i tij ligjor ka deklaruar se do ta apelojë vendimin e gjykatës.

Partia e Punës e drejtuar prej tij u përgjigj gjithashtu më vonë përmes një deklarate, ku thoshte se do të luftonte me të gjitha mjetet për kandidimin e Lula. “Do ta apelojmë vendimin në të gjitha gjykatat dhe do ta mbrojmë Lula në rrugë, bashkë me qytetarët”, thuhet në deklaratë. Dënimi i ish-presidentit për pastrim parash dhe korrupsion u konfirmua në janar të këtij viti. Në Brazil, asnjë politikan që ka marrë dënime të konfirmuara nuk ka mundur të garojë për një post zyrtar. Sidoqoftë, përjashtime janë bërë. Por, duke njoftuar paligjshmërinë e Lula për ta kandiduar, një prej gjyqtarëve tha se, në lojë është barazia e të gjithë qytetarëve përpara ligjit dhe Kushtetutës.

Gjatë presidencës së tij, Lula u afirmua si lideri që luftoi varfërinë e që uli hendekun mes të pasurve dhe të varfërve që dominon në Brazil. Por më vonë ai u dënua për një apartament me vlerë 1.1 milionë dollarë të marrë në formë ryshfeti për të favorizuar një kompani nafte. Ai vazhdimisht ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se dënimi i tij ishte pjesë e një komploti për t’i penguar rikthimin në pushtet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!