Brazil, Bolsonaro merret në pyetje nga policia për rolin e tij në trazirat e 8 janarit

schedule18:15 - 26 Prill, 2023

schedule 18:15 - 26 Prill, 2023

Ish-presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit Jair Bolsonaro po merret në pyetje nga policia federale për rolin e tij në trazirat e 8 janarit, tha një burim policor për AFP.

Një gjykatës i Gjykatës së Lartë urdhëroi në mes të prillit që Bolsonaro, i cili ishte atëherë në Orlando, SHBA, të merrej në pyetje. Ish-presidenti mohon përfshirjen e tij në këto trazira.

Më 8 janar, një javë pasi Lula mori pushtetin, mbështetësit e Bolsonaro sulmuan ndërtesat presidenciale, të Kongresit dhe të Gjykatës së Lartë në Brasilia, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Rreth 1800 persona u arrestuan.

Më 10 janar, dy ditë pas trazirave, politikani i ekstremit të djathtë postoi një video duke vënë në dyshim rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të tetorit.

Bolsonaro, president nga viti 2019 deri në vitin 2022, ishte larguar nga Brazili më 30 dhjetor, para se të përfundonte mandati i tij, duke bojkotuar ceremoninë e betimit të Lulës më 1 janar. Ai u kthye në Brazil në fund të marsit.

Ish-presidenti i ekstremit të djathtë, megjithatë, po përballet edhe me hetime për raste të tjera.

Autoritetet po hetojnë nëse ai ka shkelur ligjin duke sjellë në vend bizhuteri luksoze me vlerë të paktën tre milionë euro, të cilat i ka marrë nga Arabia Saudite si dhuratë për gruan e tij, pa e deklaruar.

Njëkohësisht ai po hetohet në kuadër të pesë çështjeve që po shqyrtohen nga Gjykata e Lartë e Brazilit. Përveç hetimit për rolin e tij në trazirat e 8 janarit, katër rastet e tjera përfshijnë shkelje të dyshuara të kryera gjatë kohës që ai ishte president në lidhje me dezinformimin dhe trajtimin e pandemisë.

Gjykata e Lartë Zgjedhore po heton të paktën 16 çështje që dyshohet se përfshijnë Bolsonaro, i cili rrezikon të ndalohet nga jeta politike deri në tetë vjet, gjë që do ta pengonte atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!