Brataj: Pranvera e vitit tjetër mund të shënojë fundin e pandemisë! Psikiatria: Pasojat e shëndetit mendor më afatgjate

schedule08:57 - 5 Maj, 2021

schedule 08:57 - 5 Maj, 2021

Të ftuar në ABC-ja e mëngjesit Drejtori i Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj sëbashku me psikiatren Arjana Rreli, folën për situatën epidemiologjike, statistikat e Covid  dhe shëndetin mendor të qytetarëve shqiptarë 14 muaj pas pandemisë së koronavirusit.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Enkel Demi, drejtori i Urgjencës Mjekësore tha se vera pritet që të jetë e qetë për shkak se treguesit flasin për shifra në rënie të rasteve dhe numrit të viktimave.

Brataj gjithashtu u shpreh besimplotë se pranvera e vitit tjetër mund të shënojë edhe fundin e pandemisë.

“Unë mendoj që vera do të jetë e qetë për arsye të treguesve që kemi. Ne patëm një lockdown të menjëhershëm në mars. Ndërsa në qershor në mendoj që virusi ishte i dobët dhe ka infektuar shumë njerëz që e kanë kaluar shumë lehtë. Gjithashtu unë mendoj që Shqipëria dhe shqiptarët mund të kenë kaluar Sars-Cov-1.

Nuk mund të flasim saktësisht, por gjithashtu mendoj që kjo verë do të jetë e qetë, do të kemi një dimër bashkëjetues me virusin, dhe besoj që pranvera e vitit tjetër mund të sjellë fundin e saj. Siç e shohim të paktën 400, 000 mijë qytetarë janë vaksinuar dhe mund të themi që jemi në një situatë të mirë të imunizimit”, tha Brataj.

Ndërkohë psikiatria Arjana Rreli, tha se ardhja e vaksinës kundër koronavirusit ka qetësuar psikologjikisht popullatën, por theksoi se edhe pasi të mbarojë kjo pandemia e Covid, pandemia e shëndetit mendor do të zgjasë më shumë.

“Unë shpresoj shumë që të mbarojë sa më shpejt sepse vala e shëndetit mendor do të zgjasë më shumë nëse kjo pandemi vijon të zgjatet. Shëndeti mendor kishte edhe disfavor pranverën”, u shpreh psikiatria.

Ajo shpjegoi se ndjesia e të qenit i mbrojtur është faktor shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor dhe se ardhja e vaksinave ka ulur nivelin e stresit.

“Bërja e vaksinave ka qetësuar psikologjikisht popullatën sepse ndjesia e të qenit i mbrojtur ndikon në psikologji, pra për ne është i rëndësishëm fakti që erdhën vaksinat dhe kjo ka ulur nivelin e stresit. Për ne si psikiatër, unë kam vënë re që profesioni jonë është bërë mision.

Por megjithatë vazhdoj të them ne jemi akoma duke punuar me majën e ajsbergut, sepse ka ende mekanizma që dikush përdor për të mos ardhur në kohën e duhur”, tha Rreli.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!