Braimllari: Hapja e kutive në Berat tregoi masakrën elektorale, KQZ futi duart mes materialeve zgjedhore

schedule19:32 - 17 Maj, 2021

schedule 19:32 - 17 Maj, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Endri Braimllari ka deklaruar se hapja e kutive të Beratit tregon qartë masakrën elektorale të 25 Prillit. Ai shprehet se kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë. Sipas Braimllarit, KQZ ka futur duart në kutitë e materialeve zgjedhore .

“Hapja e kutive të Beratit tregon qartë masakrën elektorale të 25 prillit. Rilindja, jo vetëm përdori administratën publike, Policinë e Shtetit, grupet e strukturuara kriminale por dhe ka ndërhyrë në proces duke deformuar vullnetin e qytetarëve brenda në kuti. Hapja e kutive të sotme vërtetoi pretendimet e drejta të Lëvizjes Socialiste për Integrim se mandati i Beratit dhe jo vetëm është grabitur nga Partia Socialiste.

Sot, u bë e qartë për të gjithë shqiptarët skema e manipulimit të procesit zgjedhor duke përdor edhe teknologjinë e cila duhet të ishte një garanci në këtë proces. Vetëm në Berat u vërtetua se të paktën 19 shtetas kanë votuar 53 herë, skemë kjo e cila është përdorur në të gjitha qarqet e vendit duke manipuluar procesin e zgjedhjeve.

Nga hapja e kutive, u pa qartë se ka më shumë fletë votimi sesa vetë numri i votuesve. Pra, qartazi kutitë janë mbushur duke përdorur çdo strukturë në funksion të qeverisë. Këto manipulime, vërtetojnë qartazi se në procesin e 25 prillit, Rilindja jo vetëm deformoi vullnetin e qytetarëve por dhe i vodhi zgjedhje duke ndërhyrë drejtpërdrejtë në kuti. Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë publike, fakte të tjera sesi ky proces është manipuluar përpara ditës së votimit, ekzekutuar gjatë procesit të votimit dhe ka vazhduar hapur në KQZ.

KQZ ka futur sot duart në kutitë e materialeve zgjedhore. Ka futur nga jashtë materiale që nuk janë në kutinë e materialeve zgjedhore. Raporti i pajisjes elektronike i konfirmuar edhe nga numëruesit socialistë në Berat, njëkohësisht edhe nga hapja e kutive nuk ndodhej në kutitë e materialeve zgjedhore por është futur dorazi nga jashtë nga ana e administratës së KQZ duke kompromentuar të gjithe procesin”, shprehet ai./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!