Brahimi i druhej atentatit? Lëvizte me fuoristradë të blinduar me targa të Shkupit, si ia dolën autorët të ekzekutonin 27-vjeçarin

schedule08:19 - 23 Korrik, 2022

schedule 08:19 - 23 Korrik, 2022

Një i vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një atentati mafioz mbrëmjen e së premtes në Milot.

Klisman Preçi dhe biznesmeni Ylli Brahimi u qëlluan me 100 plumba teksa ishin duke qarkulluar me një mjet  tip “Toyota” e blinduar, e cila është ndjekur nga pas nga atentatorët.

Si ndodhi ngjarja

Pasi i bllokuan lëvizjen automjetit me targa të Shkupit, autorët që mbanin kapele në kokë kanë zbritur nga makina e tyre dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin Preçi dhe Brahimi.

Pasi kanë parë se plumbat nuk po e përshkonin mjetin, një nga autorët e ka ndjekur dhe pasi është futur në rrugicë, ka qëlluar në hyrje të pallatit. Pas ngjarjes, policia gjeti një makinë e djegur në fshatin Gramëz, rrethi Krujë brenda të cilës u gjendën edhe dy armë zjarri kallashnikovë.

Preçi dhe Brahimi janë emra të njohur për policinë. Ata i kanë shpëtuar atentateve edhe më parë.

Brahimi ka qenë i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa është marrë në pyetje dhe për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi. Ndërsa, Klisman Preçi është arrestuar për një tentativë grabitjeje me armë në Milot.

Si i shpëtoi Ylli Brahimi atentatit në janar të vitit 2021

Ylli Ibrahimi i ka shpëtuar një atentati të bërë në janar të vitit të shkuar. Atentatorët e biznesmenit, mbi të cilin u zbrazën plot 20 plumba nga automatiku ‘Scorpions’, ndoqën rrugën Tiranë-Milot e më pas u zhdukën drejt Burrelit, pa u ndaluar nga asnjë efektiv policie.

Dy personat, që u shfaqën me ‘Suzuki’ e me maskë në kokë në qendër të Milotit, janë nisur nga Tirana. Kamerat e aeroportit të Rinasit kanë pikasur dy të rinjtë e veshur me ngjyrë blu, që kalojnë pranë tij në drejtim të Milotit.

Pasi mbërrijnë në Milot, të rinjtë qëllojnë biznesmenin Ylli Ibrahimi, të cilin e kapën plot shtatë plumba në gjymtyrët e poshtme, e më pas u zhdukën. Edhe pse ngjarja ndodhi në orët e paradites, konkretisht në orën 11:57, dy autorët kanë përshkuar kilometra të tëra rrugë, të pashqetësuar.

Mos ndalimi i tyre nga uniformat blu ka bërë që të rinjtë të mbërrijnë në destinacionin të cilin e kishin paracaktuar për tu fshehur pas krimit, duke lënë pas misterin e identitetit të tyre dhe biznesmenin Ibrahimi të shtrirë në tokë. Vetë biznesmeni që ra pre e këtij atentati të ndodhur më 13 janar mohoi aso kohe të kishte konflikte dhe ishte shprehur se nuk e ka aspak idenë se kush qëndron pas sulmit të organizuar.

Si i shpëtoi Klisman Preçi atentatit në maj 2022

Më 14 maj të këtij viti, Blerim Preçi u qëllua me armë rreth orës 20:00 teksa lëvizte me një makinë tip “ML” në të cilën ishte pasagjer edhe kushëriri i tij Klisman Preçi. 28-vjeçari Blerim Preçi, dyshohet se është ndjekur për disa kohë dhe autorët i dinin lëvizjet e tij.

Autorët të cilët lëviznin me një makinë “Audi” raportohet se i janë afruar makinës së të riut nga Miloti  duke dalë paralel dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij. Sapo ka dëgjuar të shtënat Blerim Preçi ka frenuar makinën dhe më pas është hedhur në lëvizje e sipër. Makina ka vijuar të ecë dhe ka dalë jashtë rruge pas disa metrash.

Për sa i përket atentatit të ndodhur mbrëmë, policia njoftoi se ka ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës. por nga autorët nuk ka ende asnjë gjurmë./abcnews.al. 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!