Brad Lander, kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie të New York-ut dhe njëherësh zyrtari më i lartë financiar i qytetit, është arrestuar sot nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Sipas raportimeve të BBC, Lander u ndalua me akuzat për “sulm ndaj zbatimit të ligjit dhe pengim të punës së një oficeri federal”. Në faqen e tij zyrtare në platformën “X” janë publikuar pamje të momentit të arrestimit.
Arrestimi ndodhi në një kohë kur administrata e Presidentit Donald Trump po ndërmerr veprime të ashpra kundër imigracionit, përfshirë bastisje dhe deportime të emigrantëve që ndodhen në SHBA në mënyrë të paligjshme.
Një zëdhënës i fushatës së Lander bëri të ditur se demokrati po shoqëronte një të pandehur jashtë gjykatës së imigracionit në momentin kur u ndalua nga ICE. Sipas dëshmive, Lander u shpreh gjatë arrestimit: “Ju nuk keni autoritet për të arrestuar qytetarë amerikanë”. Por agjentët federalë pretendojnë se ai po pengonte oficerët në kryerjen e detyrës.
Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, deklaroi për BBC-në: “Oficerët tanë heroikë të zbatimit të ligjit të ICE përballen me një rritje prej 413% të sulmeve kundër tyre. Është e gabuar që politikanët që synojnë poste të larta minojnë punën e zbatuesve të ligjit për t’u bërë viralë. Askush nuk është mbi ligjin dhe kushdo që vë dorë mbi një oficer do të përballet me pasojat.”
Nga ana tjetër, fushata e Lander, përmes zëdhënëses Dora Pekec, ka deklaruar se po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.
Ndërkohë, Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James, e cilësoi arrestimin “thellësisht të papranueshëm”, duke theksuar se: “Arrestimi i Kontrollorit Lander vetëm për aktin e thjeshtë të mbrojtjes së emigrantëve dhe të drejtave të tyre civile është një abuzim tronditës i pushtetit. Askush nuk duhet të përballet me frikë dhe kërcënime në një gjykatë. Ky është një përshkallëzim grotesk i tensioneve. Shënjestrimi i shfrenuar i njujorkezëve nga administrata vetëm sa i bën komunitetet tona më pak të sigurta.”/abcnews.al