E gjithë bota e futbollit i është ulur në gjunjë Cristiano Ronaldo-s pas golit që shënoi ndaj Juventusit në Champions. Ylli i Realit po krahasohet me legjendat më të mëdha të të gjitha kohëve.
Ky gol sikur vlejti sa një karrierë.
Kristiano Ronaldo është padyshim në kulmin e lavdisë pas asaj që bëri në stadiumin e Juventusit.
Pas mbi 600 rrjetave, njëra më e bukur se tjetra, duhej të vinte kjo në Torino, që të bindte edhe më skeptikët, se ai mund të matet me ajkën e futbollit botëror, me Pelenë, Maradonën dhe Mesin.
Portugezi pati meritën më të madhe që Reali fitoi 3-0 një ndeshje tepër të vështirë të Championsit, që mund të kishte përfunduar edhe ndryshe, ndërsa dy goditjet e tij e kanë siguruar tashmë gjysmëfinalen.
Të mësuar ta dëgjojmë të flas më shumë për veten, sikur u habitëm kur dëgjuam pas sfidës një Ronaldo altruist.
Cristiano Ronaldo: “Ishte një ndeshje shumë e mirë e ekipit. E qartë që njerëzit po flasin shumë për golin tim të dytë, që ishte me të vërtetë spektakolar, ndoshta më i miri i karrierës sime. Dakord, por unë dua të flas më shumë për ekipin, sepse u paraqit shumë lart. Vuajtëm në pjesën e parë, por që të shënosh 3 gola në fushën e Juventusit nuk është aspak e lehtë, por ia dolëm mbanë dhe hodhëm një hap të madh drejt gjysmëfinales”.
Kristiano pati padyshim disa fjalë për tifozët e Juventusit, që u ngritën në këmbë pas roveshatës së tij.
Cristiano Ronaldo: “Dua të falenderoj publikun e Juventusit. Është diçka e madhe që u duartrokita në një stadium si ky i Juventusit, ku kanë luajtur lojtarë të mëdhenj, dhe luajnë sërish lojtarë të mëdhenj. Është një moment i madh për mua, jam i lumtur dhe i nderuar. Juventusi gjithnjë më ka pëlqyer si ekip dhe gjithë italianëve që ishin në stadium dua t’u them faleminderit në italisht”.
Intriguese koincidenca që CR7-ta ka në stol si trajner një yll të dikurshëm që ka bërë gjëra spektakolare, si ky gol fitues në finalen e Championsit në vitin 2002.
Zinedin Zidane u pyet nëse mund të ketë krahasim, dhe foli si tifoz i vetvetes.
Zinedin Zidane: “Dy golat mund të krahasohen, por ai i imi ishte më i mirë. Gjithsesi, ky ishte i fundit, pra vlen ky. Gjithsesi, i duhet hequr kapelja Kristianos. Unë jam vërtet trajner i Realit, por jam edhe tifoz futbolli. Veprimi i tij ishte natyral dhe jam shumë i lumtur për të. Është një lojtar i veçantë pikërisht sepse bën gjëra të tilla. Gëzohem për të, por që të gjithë duhet të jemi të gëzuar që e kemi në ekip”.
Nuk mund të mungonin vlerësimet më të larta nga kundërshtarët.
Ja si shprehet trajneri i Juventusit, Alegri.
Alegri: “Nuk e di nëse ishte goli më i bukur i historisë, por padyshim ishte i jashtëzakonshëm. Për momentin, madje për shumë vite, Kristiano Ronaldo është qendërsulmuesi më i mirë në botë. Është transformuar në këtë rol dhe duhet t’i bëj komplimentet për atë që bëri, sepse ka një kthjelltësi dhe zotësi për të shënuar, që do të hyjë në histori”.
Mediat, si përherë, u ngritën në një hosana për mbretin e momentit në futboll.
Gazeta “Marka” e Madridit titullon thjesht: Goli! Kristiano shënon me një roveshatë për historinë që ngre në këmbë stadiumin e Juventusit
“AS”: Nga cili planet vini? Kristiano goditi topin në 2.23 metra lartësi! Bufon: Vlera e tij është e krahasueshme me Maradonën, Mesin, Pelenë!
“El Mundo Deportivo”: Dje CR7! Sot Mesi!
“Sport” po e Barcelonës është mospërfillëse: Kristiano rrëzon Juventusin, shkruan ajo në një cep. Titulli dhe fotoja e madhe janë për Mesin: Shije Championsi!
“Il Korriere delo Sport” nga Italia: Një vepër arti! Roveshatë kryevepër e Ronaldos në Champions, Reali shkatërron Juventusin!
“La Gazeta delo Sport” me pasthirrmë: CR Uau! Të gjithë në këmbë për Ronaldon që me një roveshatë të çmendur përmbys Zonjën!
“L’Ekip” ka foton e Ronaldos dhe titullin: Në një planet tjetër!
“A Bola” e Portugalisë nuk ka dyshime: Është më i madhi!
Nga Argjentina, vendi i Mesit, komenton “Ole”: CR7 i papërballueshëm! Roveshatë e nivelit botëror!
“Lans” e Brazilit: I papërballueshëm! CR7 një kryevepër!
Natyrisht, Reali nuk ishte vetëm Ronaldo.
Suksesi 3-0 pati edhe meritë të tjerëve, që nga portieri Kejlor Navas, kapiteni Sergio Ramos apo Varan në mbrojtje, Modriç e Kros në mesfushë, Isko e Benzema në sulm, si dhe autori i golit tjetër Marselo.
Në një farë mënyre, madrilenët morën hakun e Totenhemit, që një tur më parë pati epërsi të plotë ndaj kampionëve të Italisë, por u eleminua nga mungesa e përvojës.
Përsa i përket, Juventusit, torinezët provuan edhe një herë sesa e madhe është diferenca mes Serisë A dhe La Ligës së Spanjës./abcnews.al