Bota në alarm, zyrtarë dhe politikanë të ndryshëm thirrje për masa të forta ndaj koronavirusit

schedule21:55 - 12 Mars, 2020

schedule 21:55 - 12 Mars, 2020

Zyrtarë dhe Politikanë nga shumë vende të botës duket se gjenden në unanimitet të plotë përsa i përket masave të forta që duhen ndjekur për të luftuar me rigorozitetin e duhur epideminë që tashmë ka shkaktuar në të gjithë botën më shumë se 4.900 të vdekur!

“Vetëm me anë të një aksioni agresiv mund ta vonojmë transmetimin e virusit Covid-19”. Kjo ka qenë edhe thirrja që ka bërë në Twitter  Komisarja Europiane për Shëndetin, Stella Kyriakides. Ajo gjithashtu ka shtuar se shumë shtete kanë marrë masa të një shkalle të gjërë, duke ndikuar fort në jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ekonomisë. Megjithatë, për Komisaren e Shëndetit, të tilla masa janë të domosdoshme për t’u zbatuar në të gjithë Europën. Ndërsa Roberto Speranza, Ministri Italian i Shëndetësisë, ka thënë se duhet vepruar rrufeshëm dhe në mënyrë të vendosur në të gjitha vendet e përfshira nga sëmundja, për të arritur rezultate sa më efikase në luftën kundër virusit.

Bashkë me Kyriakides, Ministri Speranza u ka bërë ftesë të gjithë vendeve të prekur nga epidemia për të zbatuar sa më shpejt masat e distancimit social, masa thelbësore për të vonuar dhe për të kufizuar transmetimin e Covid-19.  Ndërkohë, ekspertët e Bashkimit Europian e kanë konsideruar të lartë riskun, që në javët në vazhdim të ndodhë tejkalimi i kapaciteteve të sistemit Shëndetësor në të gjithë Europën dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Këtë risk e ka njoftuar qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve,  në mbledhjen e fundit mbi situatën e epidemisë së koronavirusit. Virusi po perhapet frikshem ne Europe dhe me tej, pa zgjedhur ke prek.

Në  Britani, Ministrja e Shëndetësisë Nadine Dorries u diagnostikua me koronavirus, ndërsa numri i të infektuarve i kaloi 450 persona, rritja më e madhe kjo brenda një dite. Ndërkaq, Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjendet në auto-izolim në shtëpinë e tij, pasi bashkeshortja e tij ka shfaqur më herët simptoma ftohjeje. Këtë lajm e ka bërë të ditur zyra e Kryeministrisë, duke shtuar se Zonja Trudeau ishte kthyer pak ditë me parë nga Mbretëria e Bashkuar dhe ka shfaqur temperaturë të lehtë. Teksa  Zonja e tij është në pritje të rezultateve të testit për Covid-19, për arsye sigurie, Kryeministri i Kanadase ka zgjedhur auto-izolimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!